Botë

Zëdhënësi i Kremlinit: Rusia do ta çlirojë rajonin e Kurskut së shpejti

Dmitry Peskov -zedhenes i Kremlinit

Foto: Associated Press

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka lajmëruar të enjten se ka marrë nën kontroll qytezën e Sudzhas, njëkohësisht qyteza më e madhe në rajonin e Kurskut që ishte pushtuar nga trupat ukrainase, pas ofensivës së rrufeshme në verën e vitit të kaluar, raporton agjencia AP.

Njoftimi vjen gjersa trupat ruse janë afër të largojnë trupat ukrainase nga pika e tyre e fundit në rajonin e Kurskut.

I pyetur se kur pritet që trupat ruse të marrin nën kontroll Kurskun, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim se rajoni i Kurskut do të çlirohet së shpejti”. 

Peskov po ashtu ka thënë të enjten se ekipi negociator i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nisur për në Rusi, por nuk e komentoi qëndrimin e vendit të tij.

“Para se të fillojnë bisedimet, dhe ato akoma nuk kanë filluar, do të ishte e gabuar të flitej në lidhje me to në publik”, ka thënë ai.

Ndërkohë, zyrtarja për komunikim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka konfirmuar se delegacioni i Rusisë dhe i SHBA-së do të takohen të enjten, duke shtuar se Rusia është e gatshme të diskutojë nismat diplomatike të propozuara gjatë takimit në mes të delegacionit të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Jeddah të Arabisë Saudite.