Botë

Zakharova: Qëndrimi i Rusisë vendoset në shtëpi, jo jashtë shtetit

Maria Zakharova

Foto: Associated Press

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se qëndrimi i shtetit rus për propozimin amerikan për armëpushim me Ukrainën do të vendoset “brenda shtetit dhe jo jashtë tij”.

“Qëndrimi i Federatës Ruse s’mund të përcaktohet jashtë shtetit, për shkak të disa marrëveshjeve apo përpjekjeve të disa palëve”, ka thënë Maria Zakharova, zëdhënëse e MPJ-së ruse, raporton agjencia shtetërore ruse TASS. “Qëndrimi rus mund të vendoset vetëm brenda Federatës Ruse”.

Zakharova nuk ka përjashtuar mundësinë që Rusia të bisedojë me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditët në vijim.

Në bisedimet e mbajtura në mes të përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas të martën në Arabinë Saudite, Ukraina u pajtua për propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor me Rusinë. E SHBA-ja vendosi ta rikthejë ndihmën e sigurisë për Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë pas takimit se tani “topi është në anën e Rusisë”.