Influencuesja irakiane e rrjeteve sociale, Om Fahad, është qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së saj në Bagdad.
Sulmi ndodhi të premten.
Ministria e Brendshme e Irakut konfirmoi përmes një deklarate se “një grua e njohur në rrjetet sociale” është vrarë nga “sulmues të panjohur”.
Shtoi se një “ekip i specializuar” është përcaktuar për të hetuar rrethanat e vdekjes së saj, raportoi BBC.
Fahad, emri i vërtetë i së cilës është Ghufran Sawadi, u qëllua në veturën e saj nga një person që ishte në motoçikletë.
Fahad u bë e njohur në TikTok për videot që bënte duke vallëzuar me muzikë pop – ndërsa kishte mijëra ndjekës.
Ajo ishte dënuar me gjashtë muaj burgim vitin e kaluar pasi publikoi video të cilat gjykata tha se minonin “moralin publik”.
Kohët e fundit, një përplasje mes Fahadit dhe influencueses Dalia Naeem kishte përshkallëzuar.
Naeem – e njohur si “Barbie e Irakut” për shkak të operacioneve të shumta plastike – kishte kërcënuar se do të zbulonte lidhjet e Fahadit që pretendoi se kishte me zyrtarë të lartë irakianë.