Botë

“Waterloo” e Macronit: Mal kritikash për izolimin e tretë të Francës

“Kjo është ‘waterlooja’ e Macronit”, ka thënë të enjten liderja e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, në një referencë për fjalën franceze që e ka kuptimin e disfatës përfundimtare. “Mjerisht, është populli francez ai që i vuan pasojat e këtyre vonesave, të krenarisë së tij dhe të vendimmarrjes së tij jokonsistente, që po kushtojnë majmë në jetën e përditshme”, ka shkruar Le Pen në Twitter

Urdhri i presidentit, Emmanuel Macron, për izolimin e tretë të Francës kundër COVID-19, me gjithë insistimin për disa javë radhazi se do ta mbajë vendin hapur përkundër këshillave të shkencëtarëve, e ka vënë atë karshi një mali kritikash nga rivalët politikë që kanë kthyer sytë nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Izolimi është i nevojshëm për frenimin e valës së tretë të infeksioneve që rrezikon ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit në Francën e goditur nga ngadalësimi i fushatës së vaksinimit, ka thënë Macron të mërkurën në adresimin televiziv para kombit.

Me mbylljen e vendit, presidenti ka hequr dorë nga kumari dymujor se mund ta nxjerrë vendin nga vala e ngritjes së rasteve pa i urdhëruar qytetarët që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe pa e zbatuar mbylljen e shkollave, sikurse në disa vende të tjera të Evropës.

“Kjo ishte ‘waterlooja’ e Macronit”, ka thënë të enjten liderja e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, në një referencë për fjalën franceze që e ka kuptimin e disfatës përfundimtare. “Mjerisht, është populli francez ai që i vuan pasojat e këtyre vonesave, të krenarisë së tij dhe të vendimmarrjes së tij jokonsistente, që po kushtojnë majmë në jetën e përditshme”, ka shkruar Le Pen në Twitter. Politikania e ekstremit të djathtë pritet të jetë sfiduesja kryesore e Macronit në zgjedhjet e 2022-s.

Kryeministri, Jean Castex, u ka thënë ligjvënësve të enjten, para votimit simbolik rreth izolimit, se Qeveria është përpjekur që ta ruante baraspeshën midis vendimit “tepër të hershëm apo tepër të vonshëm”. “Këto masa na janë dukur si esenciale. Esenciale për ta lejuar vendin që ta kapërcejë atë që shpresojmë të jetë fazë e fundit (e kësaj krize)”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, rivalët politikë dhe një pjesë e opinionit publik e kanë akuzuar Macronin për sjellje prej monarku, pasi që i është dorëzuar qarkut të tij të njerëzve besnikë dhe ka dëgjuar pak të tjerë që kur ka hyrë në Pallatin Elysee më 2017. Ndihmësit e Macronin kanë thënë se presidenti vazhdimisht është këshilluar me një gamë të gjerë njerëzish gjatë pandemisë, por se vendimi përfundimtar në Francë i bie presidentit.

Macroni kishte vendosur në janar se ora policore dhe mbyllja e restoranteve dhe bareve do të ndalnin hovin e infeksioneve. Por që nga fillimi i marsit, virusi ka marrë përmasa më përhapëse, pasi që variantet më bartëse janë bërë forma dominuese e infeksionit dhe procesi i vaksinimit nuk ka rrjedhur sipas planit.

Në adresimin e së mërkurës, Macroni ka pranuar edhe disa prej gabimeve që ka bërë.

“Krejt këto janë të vërteta. Por e di një gjë: jemi përmbajtur, kemi mësuar dhe në cilindo rast, jemi përmirësuar”.

Duke e spikatur cenueshmërinë e pozitës së Macronit, një sondazh i kryer gjatë marsit ka treguar se presidenti aktual do ta fitonte garën kundruall Le Penit për vetëm disa pikë të përqindjes. Megjithëkëtë, një sondazh i publikuar pak para adresimit të Macronit ka treguar se 36 për qind e respondentëve i besojnë presidentit, shifër kjo dukshëm më e lartë se të dy pararendësit e tyre në periudhën kohore prej një viti para zgjedhjeve.

Ndërkaq, ligjvënësve të thirrur në Parlament për votimin simbolik të masave nuk u kanë lënë përshtypje të dhënat. Disa parti kanë bojkotuar votimin.

“Ky izolim, të cilin e dini se as që mund të quhet kësisoj, është simbol i arrogancës së presidentit dhe Qeverisë së tij”, ka thënë Damien Abbad, nga partia kryesore opozitare konservatore.

Ndërkaq ligjvënësi nga radhët e Partisë Komuniste, Andre Chassaigne, ka ndërlidhur stilin e qeverisjes së Macronit me atë të Louis XIV, monarkut të shekullit 17 të Francës, të njohur si Sung King për proklamimin e pushtetit absolut.

“Përkeqësimi i krizës shëndetësore ishte i parashikueshëm”, ka thënë Chassaigne. “Besimi i Sun Kingut nuk ishte i mjaftueshëm për ta thyer kurbën e infeksioneve”.