Botë

Vullnetari nga Serbia në Ukrainë, “në anën e duhur të historisë”

Milan Çanak

Milan Çanak: “Krejt ajo propagandë të cilën e lexoj në Serbi është krejtësisht e rrejshme, është propagandë proruse dhe nuk ka lidhje me të vërtetën. Ata që nuk më besojnë mund të paraqiten dhe të vijnë e të ndihmojnë. I pranojnë të gjithë. Ja, unë jam nga Serbia, askush nuk më ka thënë gjë...” (Foto e shkëputur nga lidhja direkte e televizionit “N1” me Milan Çanakun në Kiev)

“Ky veprim i palës ruse është shumë, shumë jonjerëzor”, ka thënë Milan Çanak, vullnetar për punë humanitare në Ukrainë, të cilit njëra prej bombave të Rusisë që goditi Spitalin e Fëmijëve të hënën i shpërtheu krejt afër. I biri i politikanit e aktivistit Nenad Çanak, ka thënë se propaganda e Serbisë është propagandë proruse dhe nuk ka lidhje me të vërtetën. “Kushdo që dëshiron të jetë në anën e duhur të historisë...urdhëroni zotërinj!”, ka thënë ai

Tronditëse janë pamjet që vijnë nga Ukraina pas sulmeve masiv me 40 raketa ruse të hënën, në objekte civile dhe spitale, që lanë afro 40 të vdekur e mbi 150 të lënduar. Njëri prej objekteve të goditura, edhe Spitali i Fëmijëve në Kiev.

E, dëshmitar i kësaj ngjarjeje qe edhe djaloshi nga Serbia, Milan Çanak, vullnetar për çështje humanitare në Ukrainë. Po i jepte makinës në drejtim të kryeqytetit ukrainas, tek po voziste një koleg të tijin vullnetar.

“Kur po kthehesha, për fat të mirë i kisha krejt xhamat e makinës hapur.  Shpërthyen tri bomba, njëri shpërthim qe bash afër meje, ai që goditi Spitalin. Nuk e kam parë eksplodimin, por dëgjova goditjen e rëndë dhe ndjeva një tronditje në gjoks siç ngjan prej shpërthimeve të tilla”, ka thënë Çanak të hënën pasdite, në një lidhje direkte nga Kievi në televizionin “N1” të Beogradit.

Milan Çanak në Kompleksin e varreve të martirëve në Mejë të Gjakovës në fund të qershorit të vitit 2021, (Foto: Skenë nga dokumentari “Kosova e së bukurës dhe vdekjes” i dhënë premierë në Kohavision më 5 korrik të vitit 2021)

Duket i qetë, pak i tronditur por i vendosur për atë që ka shkuar atje, njashtu sikurse edhe për mesazhin që përcjell qoftë edhe nëpërmjet një lidhjeje direkte pak minutëshe.

Milani 25-vjeçar, është i biri i politikanit dhe aktivistit të njohur Nenad Çanak, njëri prej zërave më opozitar në Serbi, që kaherë e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ka dënuar krimet serbe ndaj popullatës shqiptare. Jo rrallë është sulmuar prej nacionalistëve serbë, e javën e kaluar e ftoi në konakun e tij në Novi Sad, festivalin e ndaluar prej shtetit serb, “Mirëdita, dobar dan!”, por kjo është tjetër histori.

Tash zëri i të birit të tij, është ai që nuk dëgjohet shpesh në Serbinë me shumicë proruse. Aq më pak në mediat të cilat pothuajse janë kapur krejt prej presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Çanak i riu, ka rrëfyer se kur u dëgjuan shpërthimet, njerëzit u zunë në panik, u dhanë furishëm makinave edhe në të kuqen.

“Ia shkela gazit. Pas një gjysmë ore e mora vesh se çfarë kishte ngjarë”, ka thënë ai. Disa herë ka përsëritur se deri tash janë 28 viktima, porse “shifrat po lëvizin çdo minutë”. Deri në orët e para të së martës, shifra ka shkuar në 36 dhe vazhdon të rritet

“Krejt Ukraina është granatuar sot”, ka thënë ai para se të numërojë atë që tashmë është e konfirmuar. “Janë bombarduar dy spitale, njëri prej të cilëve është ai i fëmijëve. Janë dëmtuar 50 objekte në krejt Ukrainën. Unë jam gjendur rastësisht në Kiev, sepse unë nuk jam i vendosur këtu. Shifrat po rriten çdo minutë, të tjerë miq të mi vullnetar më njoftojnë se ende po nxjerrin njerëz të ngujuar nga gërmadhat. Krejt janë vënë në ndihmë, civilët mjekët...i keni parë xhirimet”, ka thënë Çanak edhe vetë vullnetar nga shteti që kurrë se ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, të nisur tash e 28 muaj. Sulmi i së hënës është cilësuar si më i madhi deri më tani. Ka shenjëstruar Kievin, Dnipron, Krijvi Rihun në qendër të Ukrainës dhe Kramaorskun dhe Sllovjanskun në rajonin lindor të Donjeckut.

“Në spitalin e bombarduar ishin të shtruar fëmijë me sëmundje të renda, me kancer...”, ka thënë Çanak. “Ky veprim i palës ruse është shumë, shumë jonjerëzor”, ka konstatuar ky i ri, antipod prej atyre që ende protestojnë midis Beogradit, ende me thirrje për vrasjen e shqiptare, e pro ruse po se po.

Kur ka folur për përditshmërinë e tij në Ukrainë – dhe jo vetëm të tijën – ka thënë se energji elektrike nuk ka, edhe lidhjen direkte e realizon falë një gjeneratori, se energjia kthehet për pak orë natën, por popullata gjen çajre, me panele solare a me pajisje të tjera. Acarohet një grimë.

“Unë mund të flas vetëm për vete dhe nuk e di kush ju ka thënë se nuk ka qenë i bombarduar. Kievi përditë është i sulmuar (jo vetëm tash). Krejt kohën vijnë alarmet për t’u strehuar, por tash pas kaq vjetësh luftë, askush gati s’i përfill”, ka thënë ai. Krejt në fund pyetet se çfarë mendon për sulmet në vazhdim. Dhe krejt në fund, jep edhe mesazhin. Flet për mjegullnajën proruse në Serbi, jo atë Serbi që promovon ose synon ta bëjë ky i ri.

“Uroj të mos ketë sulme. Populli i Ukrainës është i mrekullueshëm”, ka thënë me bindje njësoj siç ka bërë edhe kur kritikon.

“Krejt ajo propagandë, të cilën e lexoj në Serbi është krejtësisht e rrejshme, është propagandë proruse dhe nuk ka lidhje me të vërtetën. Ata që nuk më besojnë mund të paraqiten dhe të vijnë e të ndihmojnë. I pranojnë të gjithë. Ja, unë jam nga Serbia, askush nuk më ka thënë gjë”, ka thënë Çanak.

Toni i zërit të tij, është bërë edhe më i ashpër, kur ka përmbledhur mesazhin. Ka bërë ftesë. “Kushdo që dëshiron të ndihmojë, kushdo që dëshiron të jetë në anën e duhur të historisë...urdhëroni zotërinj!”, ka thënë ai. 

Milan Çanak, në anën e duhur të historisë – ndryshe prej jo pak moshatarëve të tij – është edhe në raport me Kosovën. E ka dëshmuar këtë së paku një herë, kur babai i tij, Nenad Çanak do ta sillte në Kosovë, në fundqershorin e vitit 2021, atë dhe nipin e tij të cilit i fali edhe emrin, me një synim të qartë dhe të prerë: që gjenerata e tij ta njohë të vërtetën e Kosovës. Në vizitën treditore e shoqëroi të atin edhe në nderimin e viktimave të masakrës së regjimit serb në Kompleksin e varreve të martirëve në Mejë të Gjakovës, vendi që ndryshe njihet si “Lugina e pikëllimit”. Aty ku në prillin e 1999-s u vranë 374 civilë, prej të cilëve 36 ishin nën 18 vjeç. Çanak i vjetri, u bë i pari politikan serb që vë lule te varret e shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb. Çanak i riu, i pari i gjeneratës së tij që e bën këtë.

Sot, kur Ukraina sulmohet nga bombat e Rusisë, prej atje si vullnetar në ndihmë njerëzish, ai u bën thirrje atyre në Serbinë e mbërthyer nga propaganda proruse.  “Kushdo që dëshiron të jetë në anën e duhur të historisë...urdhëroni zotërinj!”