Botë

Vuçiqi tenton të shkojë në Kroaci pa lajmërim, Qeveria: Ai dëshiron të krijojë kaos

Aleksandar Vuciq, dialogu, Vladimir Putin, Rusia

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka dashur ta vizitojë Kroacinë të dielën privatisht dhe duke anashkaluar të gjitha protokollet, por autoritetet kroate nuk do ta lejojnë të hyjë në vend.

Vuçiqi e ka kontaktuar politikanin kroat, Milorad Pupovac, dhe i ka thënë se po planifikonte vizitë private në Jasenovc, e ka ftuar dhe i ka thënë që ta informojë qeverinë kroate nëse e sheh të nevojshme. Pupovaci e bëri këtë dhe qeveria ishte befasuar nga mënyra si Vuçiqi donte “të krijonte kaos”, kanë thënë burime të Jutarnji list.

Pa lajmërim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiqi deshi ta konte kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina dhe të arrinte në Jasenovc dhe më pas në Pakrac.

Sipas qeverisë, qëllimi ishte qartë të provokohej pala kroate, dhe më pas presidenti serb mund ta luante viktimën në shtetin e tij sepse kroatët nuk e lejuan të hynte në Kroaci.

“Ai nuk respektoi asnjë protokoll, ai donte të bënte çdo gjë jashtë procedurave dhe rregullave të marrëdhënieve diplomatike. Ai donte të kalonte kufirin kroat me ekipin e tij të televizionit dhe të bënte çfarë të donte këtu. Por, kryeministri dhe qeveria qartë thanë jo. Ne jemi shtet i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e ‘botës serbe’ në Kroaci nuk do të funksionojë për të”, tha burimi i medias kroate.

Ai nuk ka qëllim të mirë dhe veprim që do të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve, tha qeveria.

“Ai nuk na ofron informacione për të pagjeturit, ai nuk flet me ne se si do t’i ndjekë kriminelët e luftës, ai thjesht deshi të krijojë kaos, por ne në Qeveria e kemi thënë qartë se kjo nuk bëhet fjalë”, tha qeveria kroate.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Grlic Radman, në konferencë të jashtëzakonshme pas ngjarjes, ka thënë se mungesa e komunikimit zyrtar është e papranueshme.

Kurse, nga ana tjetër kryeministrja serbe Ana Bërnabiq veprimin e autoriteteve kroate e quajti “skandalin më të madh në historinë moderne të Serbisë dhe Kroacisë”.

Në Jasenovc, serbët pretendojnë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ekzistonte një kamp përqendrimi ku serbët ishin burgosur, maltretuar e vrarë. Sipas pretendimit serb, kampi ishte funksional në periudhën 1941-1945, kur Kroacia e sotme njihej si Shteti i Pavarur i Kroacisë.

Pas luftës, Kroacia u bë pjesë përbërëse e Jugosllavisë deri më 1991 kur shpalli pavarësinë.

Serbia shpesh i referohet Jasenovcit në përpjekje për të balancuar krimet që ka kryer në Kroaci dhe më gjerë.