Botë

Vuçiqi nuk prishet me Amerikën për Dodikun

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj vendimit të SHBA-së për sanksione ndaj liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Ai është i shqetësuar për sanksionet e vendosura, por është shprehur i bindur se Serbia duhet të mbajë “marrëdhënie racionale dhe të denjë” me Shtetet e Bashkuara

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Vuçiqi ka thënë se është shumë i shqetësuar për mënyrën e prezantimit të sanksioneve nga administrata e Joe Bidenit, por edhe për sqarimin e përdorur për këto sanksione. Presidenti i Serbisë ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara sjell sfida të shumta, jo vetëm për Republikën Srpska, por edhe për Serbinë.

Ai ka shtuar se është i shqetësuar për sanksionet e vendosura, por është shprehur i bindur se Serbia duhet të mbajë “marrëdhënie racionale dhe të denjë” me Shtetet e Bashkuara.

Dodiku është sanksionuar të martën nën akuzat për aktivitete korruptuese që kanë kërcënuar me destabilizim të rajonit dhe kanë minuar Marrëveshjen e paqes të arritur para 25 vjetësh. Dodiku vazhdimisht ka përsëritur se nuk është i shqetësuar për sanksionet e reja, duke shtuar se ato do t’i afrojnë serbët me Rusinë dhe Kinën.

“Aktivitetet korruptuese dhe destabilizuese të Milorad Dodikut dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të gjithë rajonit”, ka thënë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pati njoftuar vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnjë-Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose ta destabilizojnë marrëveshjen.

Blinken ka reaguar në “Twitter” pas njoftimit, duke thënë se SHBA-ja është e përkushtuar për një të ardhme të ndritur për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës.

Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë veprime edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të Bosnjë-Hercegovinës, duke i futur në listë të zezë për shkak të përfshirjes në korrupsion. Ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, Milan Tegeltija, dhe presidenti i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Mirsad Kukiq, sipas komunikatës së Departamentit, me veprimet e tyre ata “minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucione demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre”.

Dhe përveç tyre, SHBA-ja e futi në listë të zezë edhe gruan e Tegeltijas, Tijana Tegeltija.