Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Financial Times, ka thënë se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë.
Ai ka thënë se Serbia ka interesat e saj, ndërsa ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi.
“Flitet për zgjedhjen e një ane. Jo, ne kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan në vitin 1999 dhe na vendosën sanksione. Ne kemi një lloj mbrojtjeje (nga Rusia). Çfarë duan vendet perëndimore? Që t’i lëmë të gjitha interesat tona kombëtare, sepse dikush dëshiron diçka për vete”, ka thënë Vuçiq, duke aluduar në Ukrainën dhe dëshirën e shteteve perëndimore për t’iu përgjigjur në mënyrë unike pushtimit rus.
Vuçiq ka shtuar se Serbia nuk i vendos sanksione askujt, pasi lidershipi beson se këto nuk ndryshojnë gjë.
“Ju mund t’i bëni presion ndaj Serbisë, por ky është mendimi ynë i sinqertë”, tha Vuçiq.
Ai ka folur edhe për armatosjen e Serbisë, duke shtuar se këto i ndihmojnë stabilitetit në rajon, pasi edhe shtetet e rajonit po armatosen. Ai ka thënë se për këto blerje, përfshirë nga Franca e Turqia, i ka njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë Vuçiq ka shtuar se i ka thënë edhe anëtarit serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, që të mos e formojë Ushtrinë e Republika Sërpskas. E po ashtu t’i qetësojë planet për ndarje. Ai ka thënë se Dodik është pajtuar me këtë.