Botë

Vuçiq dhe opozita: Sa të njëjtë, aq të ndryshëm

Për ato që konsiderohen tema të mëdha kombëtare në Serbi, si Kosova ose pranimi i gjenocidit, është vështirë të bëhet dallimi midis pushtetit, të personifikuar nga presidenti serb, Aleksancar Vuçiq, dhe opozitës, para së gjithash “Aleancës për Serbinë”, e cila si pjesëmarrëse në protestat qeveritare këtë dimër në Beograd, është bërë sfidantja më aktuale e regjimit.

“Mendoj se këto dallime janë shumë të vogla”, thotë Angjellija Mariq, studente e sociologjisë, e cila merr pjesë në protestat në Beograd, që mbahen çdo të shtunë nga 8 dhjetori.

“Udhëheqësit e opozitës kanë po ashtu qëndrime të djathta dhe shumë radikale. Aty është edhe Dveri, një organizatë klerike, që, edhe po të vinte në pushtet, nuk do të luftonte për ato që unë mendoj se do të duhej, përkatësisht të drejtat e punëtorëve dhe barazinë”, thotë Mariq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ajo që është vënë re kur është formuar “Aleanca për Serbinë” ka qenë qëndrimi edhe më i ashpër se i Vuçiqit për Kosovën. Vuçiq, të cilin mediat e huaja e përshkruajnë si “nacionalist të reformuar”, pajtohet për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, edhe pse kurrë nuk e ka qartësuar se çfarë nënkupton me këtë. Por, “Aleanca për Serbinë”, në anën tjetër, thotë se zgjidhja duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, në preambulën e së cilës shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë. Në publik kjo është interpretuar në atë mënyrë që Vuçiq e mbështet zgjidhjen, ndërsa opozita status quo-në.

Në 30 pikat e programit të “Aleancës për Serbinë” nuk përmendet askund Bashkimi Evropian, edhe pse Serbia është në proces të hapjes së kapitujve negociues për anëtarësim në BE.

Vuçiq, ndërkaq, në një forum të sigurisë në Beograd, të mbajtur në tetor, ka thënë se prania më e madhe e BE-së në Ballkanin Perëndimor është e domosdoshme, në mënyrë që BE “të mbetet ai lloj i ëndrrës, ajo dritë e demokracisë dhe lirisë, kah e cila synojmë”.

(Gjerësisht, sot në Radio Evropa e Lirë)