Tre turistë spanjollë janë vrarë nga një sulmues në qytetin qendror të Afganistanit, Bamiyan, ka bërë të ditur qeveria spanjolle.
Zyrtarët afganë kanë thënë se një shtetas afgan është vrarë po ashtu, derisa edhe katër të huaj dhe tre afganë të tjerë janë plagosur, raporton BBC.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, mirëpo zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Abdul Mateen Qani, ka thënë se katër persona janë arrestuar lidhur me rastin.
Në një deklaratë, Qani ka thënë se qeveria talibane “e dënon fuqishëm krimin, i shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e viktimat, dhe siguron se të gjithë kriminelët do të gjinden dhe do të ndëshkohen”.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë në një postim në rrjetet sociale se “është i tronditur nga lajmet për vrasjen e turistëve spanjollë në Afganistan”.
Ministria e Jashtme spanjolle e ka konfirmuar se të paktën edhe një spanjoll tjetër ka mbetur i plagosur.
Mali Bamiyan është shtëpia e një vendi të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe eshtrave të dy statujave gjigante të Budës, të cilat u hodhën në erë nga talibanët gjatë sundimit të tyre në vitin 2001.
Që nga rimarrja e pushtetit në Afganistan në vitin 2021, talibanët janë zotuar të rivendosin sigurinë dhe të inkurajojnë një numër të vogël në rritje të turistëve që rrjedhin në vend.
Qeveria talibane shet bileta për të hyrë në vendin e statujave të Budës.
Megjithëse lufta civile në vend përfundoi me pushtimin e talibanëve, grupi i Shtetit Islamik ka kryer sulme ndaj talibanëve dhe ka një kryengritje anti-talibane në disa zona.