Tre turistë janë gjetur të vdekur në Meksikë, pasi u qëlluan në kokë dhe trupat e tyre u hodhën në një pus, kanë konfirmuar autoritetet meksikane.
Vëllezërit australianë, Jake dhe Callum Robinson, 30 dhe 33 vjeç, dhe shoku i tyre amerikan, Jack Carter Rhoad, 30 vjeç, u zhdukën më 27 prill në Ensenada të Meksikës.
Të afërmit e tre viktimave kanë identifikuar trupat e tyre të dielën, raporton BBC.
Zyrtarët meksikanë besojnë se burrat u sulmuan kur u përpoqën të ndalonin vjedhjen e kamionit të tyre.
Sipas prokurores së shtetit, Maria Andrade, sulmuesit donin të vidhnin gomat e automjetit të turistëve, të cilët për shkak të rezistencës së tyre u qëlluan në kokë.
Trupat e tyre u gjetën në një pus 4 metra të thellë, rreth 6 kilometra larg nga vendi i sulmit.
Një trup i katërt i cili ishte hedhur aty kohë më parë, u gjet në pus, dhe nuk ishte i lidhur me rastin, kanë njoftuar zyrtarët.
Dy burra dhe një grua janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në sulm.