Tre izraelitë janë vrarë të dielën kur automjeti i tyre është goditur pranë qytetit të Hebronit në Bregun Perëndimor të pushtuar, kanë bërë të ditur zyrtarët izraelitë.
Ushtria ka konfirmuar sulmin në zonën e kryqëzimit Idna Tarqumiyah, duke thënë se forcat e sigurisë po kërkonin për sulmuesit, raporton Reuters.
Qindra trupa izraelite kanë kryer sulme në të gjithë Bregun Perëndimor që nga e mërkura e kaluar, në një nga aksionet e tyre më të mëdha në zonë në muajt e fundit, për të cilin Izraeli thotë se synon të çrrënjos militantët islamikë.
Operacioni ka nxitur thirrje ndërkombëtare për ndalim.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se tre policë ishin në automjet kur u vranë në sulmin e së dielës.
"Ne po luftojmë në të gjitha frontet kundër një armiku mizor që dëshiron të na vrasë të gjithëve”, ka thënë Netanyahu, duke iu referuar gjithashtu gjashtë pengjeve izraelitë të vrarë në robëri në Gaza, trupat e të cilëve u gjetën në një tunel të dielën.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, një anëtar i kabinetit të sigurisë të Izraelit, bëri thirrje për më shumë veprime kundër militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor.
"Ne duhet të bëjmë tani atë që nuk bëmë atë natë të tmerrshme dhe të ndërmarrim një sulm parandalues dhe të godasim fort terrorizmin”, ka thënë ai duke iu referuar sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael, më 7 tetor.