Botë

Vriten 29 rebelë maoistë në Indi

Indi

Forcat e Sigurisë të Indisë kanë bërë të ditur se kanë vrarë 29 rebelë maoistë në shtetin qendror indian Chhattisgarh, disa ditë përpara se vendi të shkojë në zgjedhje, raporton BBC.

Incidenti ndodhi në zonën Kanker, që është një bastion i rebelëve.

Sipas policisë së vendit, ky është numri më i madh i të vrarëve maoistë në një përleshje në vitet e fundit.

Forcat e sigurisë kanë thënë se kjo përleshje ndodhi pasi ata morën informacionin për praninë e liderëve nga Partia Komuniste e Indisë (Maoiste) në Kankar.

Dy anëtarë të lartë të Partisë Komuniste të Indisë (Maoiste) besohet të jenë në mesin e të vrarëve, sipas Forcës së Sigurisë Kufitare të Indisë.

Chhattisgarh-u është përballur me kryengritje të shumta nga rebelët maoistë, të cilët thonë se po luftojnë për të drejtat e të varfërve. 

Kryengritja maoiste filloi në shtetin e Bengalit Perëndimor në fund të viteve 1960 dhe që atëherë është përhapur në më shumë se një të tretën e 600 rretheve të Indisë.

Rebelët kontrollojnë zona të mëdha të disa shteteve.

Përplasjet mes forcave të sigurisë dhe rebelëve janë ende të zakonshme, si pasojë e të cilave vriten shumë njerëz çdo vit.