Adami ishte me vëllain e tij të madh Baha. Rreth njëqind metra larg, një autokolonë me rreth gjashtë automjete të blinduara të ushtrisë izraelite ishte kthyer në kthesë dhe kishte filluar të voziste drejt djemve. Në atë moment, dera e parme e njërit automjet është hapur. Pastaj janë dëgjuar së paku 11 të shtëna zjarri.
Pasditen e 29 nëntorit të vitit të kaluar, disa djem palestinezë kanë dalë në rrugën afër shtëpisë së tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku ata shpesh kanë luajtur së bashku.
Disa minuta më vonë, dy prej tyre kanë vdekur nga të shtënat me armë zjarri nga ushtarët izraelitë – Basili, 15–vjeçar, dhe 8-vjeçari i quajtur Adam.
Pamje nga telefonat dhe kamerat e zonës, informacionet e lëvizjeve të ushtrisë izraelite, dëshmitë nga dëshmitarët dhe hetimi i detajuar i ngjarjes, janë kombinuar për t’i gjetur provat që sugjerojnë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Provat e gjetura kanë shtyrë Ben Saulin, raportues special i OKB-së rreth të drejtave të njeriut dhe kundër-terrorizmit, të thotë se vdekja e Adam duket të jetë “krim lufte”. Një tjetër ekspert ligjor, Lawrence Hill-Cawthorne, e ka përshkruar përdorimin e forcës vdekjeprurëse “të padallim”.
Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë thënë se rrethanat e vdekjeve janë “nën shqyrtim”, por kanë thënë se “zjarri është përdorur vetëm për t’i ndaluar kërcënimet e menjëhershme ose për qëllime arrestimi, duke ndjekur protokollet e arrestimit pas shterimit të opsioneve të tjera”.
Me dhunën e rritur në Bregun Perëndimor në muajt pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, BBC-ja gjithashtu ka gjetur prova që shtëpitë palestineze janë vandalizuar me grafite, qytetarët palestinezë janë kërcënuar me armë dhe u është thënë të largohen nga territori drejt Jordanisë dhe të armatosurit palestinezë janë gjymtuar në pjesë të trupit.
Si ndodhi vrasja?
Pamjet nga 29 nëntori shfaqin Basilin duke qëndruar afër një dyqani të mbyllur me dry. Kur arrin ushtria izraelite, dyqanet mbyllen me shpejtësi në Jenin, qytet në Bregun Perëndimor – territor palestinez, i cili ndryshe nga Gaza, nuk është i udhëhequr nga Hamasi.
Dëshmitarët kanë thënë se të shtënat e zjarrit janë dëgjuar nga një operacion i afërm i ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin.
Adami, adhurues i futbollit dhe fans i madh i Lionel Messit, ishte me vëllain e tij të madh Baha, 14-vjeçar. Në rrugë ishin rreth nëntë djem në total, sipas pamjeve nga kamerat e zonës.
Rreth njëqind metra larg, një autokolonë me rreth gjashtë automjete të blinduara të ushtrisë izraelite ishte kthyer në kthesë dhe kishte filluar të voziste drejt djemve, të cilët shihen se ishin të shqetësuar. Disa nga djemtë kishin filluar të largoheshin.
Në këtë moment ekzakt, pamja nga një telefon tregon se dera e parme të një automjeti është hapur. Ushtari brenda saj kishte pamje të drejtpërdrejtë të djemve. Basili ishte në mes të rrugës, ndërsa Adami ishte rreth 12 metra larg nga ushtarët, duke vrapuar larg tyre.
Pastaj janë dëgjuar së paku 11 të shtëna zjarri.
Në ekzaminimin e vendit të ngjarjes është gjetur se plumbat kanë goditur një zonë të gjerë. Katër plumba kanë goditur një shtyllë metali, dy derën e dyqanit, një parakolpin e një makine të parkuar dhe një tjetër një parmak.
Raporti mjekësor tregon se dy nga plumbat kanë goditur Basilin në gjoks.
Një tjetër plumb ka goditur Adamin 8-vjeçar në pjesën e pasme të kokës teksa ai vraponte për t’u larguar; vëllai i tij i madh, Baha, dëshpërimisht është përpjekur ta tërhiqte zvarrë, duke e lënë gjurmë gjaku pas ndërsa bërtiste për një ambulancë.
Por ishte shumë vonë. Baha ka thënë se Adami dhe shoku i tij Basili kishin vdekur para tij.
“Isha i tronditur, as që mendoja për veten. U përpoqa t’i flisja. I thashë, ‘Adam, Adam!’ Por shpirti i tij ishte duke u larguar sepse nuk më përgjigjej”, ka thënë Baha, duke qarë.
Para se të goditej, Basili duket se ishte duke mbajtur diçka në dorën e tij. Nuk është e qartë se çfarë ishte. Fotografitë nga IDF-i tregojnë se ishte një pajisje shpërthyese.
Provat nga hetimi i ngjarjes janë ndarë te një numër i ekspertëve të pavarur, duke përfshirë avokatë të të drejtave të njeriut, një hetues i krimeve të luftës dhe një ekspert kundër-terrorizmit, si dhe anëtarë të OKB-së. Disa prej tyre i kanë dhënë analizat në mënyrë anonime.
Ekspertët kanë rënë dakord se incidenti duhet të hetohej dhe disa kanë thënë se duket se ka pasur shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ben Sauli ka thënë se mund të ketë pyetje nëse forca vdekjeprurëse duhet të ishte përdorur në rastin e Basilit, nëse ishte duke mbajtur një eksploziv.
“Për Adamin, kjo duket të jetë shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare për sulmin e qëllimshëm, pa dallim ose në mënyrë disproporcionale ndaj civilëve, krim lufte dhe shkelje e të drejtës së njeriut”, ka thënë Sauli.
“Ushtarët ishin në automjete të blinduara. Edhe nëse ka pasur kërcënim, ata duhet të vazhdonin të vozisnin dhe të planifikonin një arrestim, sesa ta përdornin forcën vdekjeprurëse e cila është shkelje e të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Lawrence Hill-Cawthorne, bashkëdrejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bristolit.
IDF-i ka thënë se të dyshuarit ishin gati të gjuanin eksplozivë mbi forcat e tyre, duke i vendosur ata në rrezik të menjëhershëm. “Trupat janë përgjigjur me të shtëna”, ka thënë ushtria izraelite.
Por sipas provave të marra nga pamjet dhe dëshmitë nga dëshmitarët, Adami nuk duket të ketë qenë i armatosur dhe ka qenë duke vrapuar larg tyre, kur ishte goditur në pjesën e pasme të kokës.
IDF-i ka thënë se rrethanat e vdekjeve të Basilit dhe Adamit janë “nën shqyrtim”, hetim që kryhet për vdekjen e secilit fëmijë si shkak i aktivitetit të IDF-it në Bregun Perëndimor.
Por disa ish-ushtarë izraelitë, që kanë parë provat, kanë thënë se besojnë se sistemi ligjor i Izraelit do t’i mbronte ushtarët që përdorin forcën vdekjeprurëse, pavarësisht nëse ishte justifikuar.
Të dhënat nga grupi izraelit i të drejtave të njeriut Yesh Din sugjeron se më pak se 1% e të gjitha ankesave kundër ushtarëve izraelitë rezultojnë në ndjekje penale.
Pamjet e sulmit të Hamasit më 7 tetor, ku janë vrarë rreth 1.200 njerëz dhe janë marrë 253 pengje, e ka zemëruar publikun izraelit dhe e ka tronditur botën. Që atëherë, vëmendja e botës ka qenë e fokusuar në luftën dhe krizën humanitare në Gaza, ku më shumë se 34.000 njerëz janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit të udhëhequr nga Hamasi.
Në të njëjtën kohë, janë rritur operacionet ushtarake nga Izraeli në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke e bërë vitin e fundit vitin më vdekjeprurës të regjistruar për fëmijët aty.
Në total janë vrarë 124 fëmijë në vitin 2023, sipas UNICEF-it – 85 prej të cilëve janë raportuar të vrarë pas 7 tetorit. Deri më tash në 2024-tën, 36 fëmijë palestinezë janë vrarë në territor nga kolonizuesit izraelitë ose nga ushtria.
Meqenëse Bregu Perëndimor nuk klasifikohet si zonë lufte, përdorimi i forcës është menduar të jetë më i kufizuar, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa IDF-i i mban të fshehta rregullat e sakta të angazhimit, ish-ushtarët izraelitë dhe ata në shërbim kanë thënë se përdorimi i forcës vdekjeprurëse duhet të ishte mjeti i fundit i përdorur aty ku ekziston një rrezik real dhe i afërt për jetën. Ata kanë thënë se kjo nis me një paralajmërim verbal në gjuhën arabe ose hebreje, para përshkallëzimit të përdorimit të armëve jovdekjeprurëse të tilla si gazi lotsjellës, pastaj gjuajtja me armë drejt këmbëve, pra të gjitha para gjuajtjes për të vrarë.
Raportet mjekësore të ministrisë së shëndetësisë palestineze të udhëhequr nga autoritetet në Bregun Perëndimor, tregojnë për vrasjen e 112 fëmijëve, të moshave nga 2 deri në 17, të cilët janë vrarë nga të shtënat izraelite mes janarit të 2023-s dhe janarit të 2024-s. Nuk dihen rrethanat e këtyre të shtënave dhe është e mundur që disa prej tyre kanë qenë me të vërtetë kërcënim për jetët e ushtarëve izraelitë.
Por sipas analizave të BBC-së, rreth 98% e tyre kanë pasur lëndime në pjesën e sipërme të trupit, ku e shtëna ka gjasë më të madhe të jetë vdekjeprurëse, që do të thotë se ushtarët në këto raste mund të kenë shtënë për të vrarë më shpesh sesa për të plagosur.
Kjo shtron pyetjet nëse ushtarët janë duke ndjekur rregullat e angazhimit në Bregun Perëndimor dhe mënyrën se si e përdorin forcën vdekjeprurëse.
Kërcënimet e IDF-it
BBC-ja ka dëshmuar për një operacion ushtarak 45-orësh nga Izraeli në kampin e refugjatëve Tulkarm në janar të 2024-s, që ka shënjestruar grupin e armatosur të njohur si “Rezistenca”.
Pastaj, disa palestinezë kanë treguar se ishin kërcënuar me armë nga ushtarët dhe u është thënë të largoheshin për në Jordani. IDF-i ka thënë se do ta shqyrtojë çdo ankesë për kërcënimin e civilëve.
Haytham, 12-vjeçar palestino-kanadez, ka thënë se ishte kërcënuar me thikë nga një ushtar izraelit, supozim i mbështetur nga vëllai dhe babai i tij.
Në një shtëpi familjare në kamp, është gjetur një mural i xhamisë al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, që ishte dëmtuar – me supozim nga ushtarët izraelitë.
Një mur ngjitur kishte Yllin e Davidit të ngjyrosur me llak dhe një tjetër kishte “7 tetor” të shkruar në hebraisht, referencë e sulmit të Hamasit.
IDF-i ka thënë se vandalizmi “është kundër vlerave të IDF-it” dhe është kundër asaj që pret nga ushtarët e tij.
Kati i sipërm i shtëpisë ishte plaçkitur, me dyert e dollapëve të kuzhinës të copëtuar, lodrat e fëmijëve të dëmtuara dhe televizorët të thyer. Dëme të tilla janë parë nëpër shtëpi të ndryshme përgjatë kampit.
Eitan Diamond, ekspert i lartë ligjor në Qendrën Ndërkombëtare për të Drejtën Humanitare Diakonia në Jerusalem, ka thënë se “vandalizmi, siç është ngjyrosja në mure e Yllit të Davidit ose “7 tetori”, është qartazi e paligjshme”.
Raportimet e kërcënimeve të fëmijëve me thikë në kampin Tulkarm – dhe të tjerët me armë – mund të jenë gjithashtu shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ka thënë ai.
Luftëtari i vrarë palestinez
Në operacionin e IDF-it, pasi ushtarët kanë qëlluar për vdekje një luftëtar palestinez të supozuar se ishte duke mbajtur eksplozivë, dëshmitarët kanë treguar se mbi trupin e tij kishin urinuar, e kishin goditur, lidhur dhe pastaj e kishin tërhequr zvarrë në rrugë.
BBC-së i janë treguar fotografi të trupit të lidhur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur një leckë dhe kabllo të lëna pas, të cilat kanë qenë në përputhje me materialin e përdorur në fotografi për ta lidhur trupin.
Provat u janë treguar ekspertëve të pavarur. Marco Sassoli, ekspert i të drejtës ndërkombëtare nga Universitetin e Gjenevës, ka thënë: “Kufomat e të vdekurve, edhe nëse janë vrarë në mënyrë të ligjshme, duhet të respektohen. Çfarë është raportuar shkel të drejtën ndërkombëtare dhe mund të përbëjë krim lufte”.
IDF-i ka thënë se pas ekzaminimit të luftëtarit të vdekur, janë gjetur eksplozivë dhe personeli i Gjysmëhënës së Kuqe ka refuzuar ta prekte trupin. “Për këtë arsye trupat e IDF-it u desh t’ia lironin duart dhe këmbët për ta siguruar sigurinë e tyre dhe për të shikuar nëse ka pasur ndonjë armë në trupin e tij”.
Disa nga ish-ushtarët izraelitë që kanë shikuar provat kanë thënë se ishin të frikësuar se metodat e përdorura në operacionet e IDF-it në Bregun Perëndimor janë duke nxitur më tutje rezistencën e armatosur palestineze.
“Të supozosh se njerëzit mund të ndërveprojnë me ushtrinë ashtu siç bëjnë palestinezët në baza ditore dhe ende ta vazhdojnë jetën e tyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë - që njerëzit që jetojnë në këtë realitet nuk do të kapin armët - në rastin më të mirë është naiv dhe çnjerëzor”, ka thënë njëri ushtar. “Gjërat po përkeqësohen”.
LEXO EDHE: