Mikey Roynon, 16-vjeçar, ishte vrarë në një festë nga një plagë e thikës 9.5 cm në qafë, më 10 qershor 2023. Sipas familjes së tij, Mikey ishte djalë i gjallë, i pëlqenin muzika dhe shëtitjet me skuter dhe kurrë nuk ka dashur ta zhgënjente nënën e tij. Vrasja e tij ishte shkatërruese për familjen, shokët dhe të gjithë ata që e donin. Kjo ishte një nga shumë vrasjet. Shifrat e fundit të policisë për Angli dhe Uells tregojnë se 247 njerëz kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me thikë nga korriku i 2022-tës deri në qershor të 2023-tës.
Sharon Gray nuk e ka njohur Mikeyn, të paktën jo sa ishte i gjallë. Por ajo akoma mendon për atë që i ndodhi atij, para se të flejë. Madje, edhe kur zgjohet në mëngjes.
Ajo ishte shtrirë për të fjetur, kur vajza e saj kishte ardhur në dhomë dhe i kishte thënë se dikush ishte therur me thikë. Sharon, 49-vjeçare, kishte vrapuar jashtë. Një djalë ishte i shtrirë pa ndjenja në asfalt, i rrethuar nga një turmë adoleshentësh. Njëri ia ka treguar asaj emrin e tij.
“Po përpiqem të të ndihmoj Mikey”, i kishte thënë Sharon, teksa ajo dhe një fqinj ishin duke i dhënë ndihmën e parë. “Nuk je i vetëm”.
Ajo ka parë ambulancën duke ardhur. Pas ardhjes së ambulancës, ajo nuk mban mend se çfarë kishte ndodhur.
Djali që ajo ishte përpjekur ta shpëtonte ishte Mikey Roynon, 16-vjeçar nga Kingswood, afër Bristolit. Sipas familjes së tij, Mikey ishte djalë i gjallë, i pëlqenin muzika dhe shëtitjet me skuter dhe kurrë nuk ka dashur ta zhgënjente nënën e tij. Më 10 qershor 2023, në një festë në shtëpi në rrugën e Sharon në Bath, ai ishte vrarë nga një plagë e thikës 9.5 cm në qafë.
Shane Cunningham, 16-vjeçar, është shpallur fajtor për vrasjen e Mikeyt dhe është dënuar me burg të përjetshëm. Dy 16-vjeçarë të tjerë - Cartel Bushnell dhe Leo Knight, që ishin 15-vjeç në kohën e sulmit – janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia. Gjykatës “Bristol Crown” i është thënë se të tre kishin nxjerrë thika, në atë që gjyqtari e quan “sulm në grup”.
Kjo ishte një nga shumë vrasjet. Shifrat e fundit të policisë për Angli dhe Uells tregojnë se 247 njerëz kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me thikë nga korriku i 2022-tës deri në qershor të 2023-tës.
Vrasja e Mikeyt ishte shkatërruese për familjen, shokët dhe të gjithë ata që e donin. Dhe si me çdo vrasje, trauma është shtrirë edhe më tej. Kishte ndikim të thellë, gjithashtu edhe te shumë të tjerë - fqinjët si Sharon, oficerët e policisë, mjekët - të cilët nuk e kishin takuar kurrë atë para se të vritej me thikë.
‘Ishte festë e qetë’
Mikey Roynon ishte lindur më 13 nëntor 2006 – fëmijë i vetëm. Nëna e tij Hayley Ryalli ka thënë se ai ishte foshnjë e urtë dhe se ndihej e lumtur sa herë çohej për ta ushqyer natën. “Nuk doja të flija pastaj, sepse e dashuroja atë orë ku ishim vetëm unë dhe ai”.
Sipas Hayleyt, Mikey ishte bërë djalë i gjallë që i pëlqente të luante jashtë – futboll, të ngjitej në mure, të ngiste biçikletën. Në shkollë dhe në një park afër shtëpisë, “kishte shumë shokë”, ka thënë Hayley. Ai ka treguar shumë herët talentin e tij në muzikë dhe i ka pëlqyer të performojë.
Ai ishte adoleshent i njohur gjithashtu, ka thënë kushërira e tij Sophie McCallum, 21-vjeçare: “Të gjithë e donin Mikeyn”, ka thënë ajo. “Në çdo situatë, ai gjithmonë e rregullonte humorin e të gjithëve”.
Mikey ka pasur punë me gjysmë orari, duke ndihmuar në kompaninë e pastrimit dhe shkatërrimit të plehrave të një miku të familjes, të cilën e ka dashur. “Ai ishte shumë punëtor”, ka thënë Hayley. Entuziazmi i tij për muzikën ishte shndërruar në pasion për drill, lloj muzike. Ai i kishte incizuar këngët e veta, në theksin e Bristolit. Kënga e tij, “Oh Dear”, ishte bërë virale.
Hayleyt nuk i kishin pëlqyer disa gjëra për drillin – reperët që vendosnin maska dhe tekstet e dhunshme. Por, Mikey ishte i mirë në atë që bënte dhe Hayley ka thënë se nëse e ndalonte, ai vetëm sa do të kishte dashur ta bënte më shumë. “Ishte më mirë nëse hapeshin me njëri-tjetrin”. Mikey e ka siguruar atë. “Më thoshte: ‘Janë vetëm fjalë, nënë’”.
Në mbrëmjen e 10 qershorit, Hayleyt – menaxhere në një kompani dobësimi – i është dashur të shkonte në punë në mbrëmje në Birmingham. Partneri i Hayleyt, Scotti, ishte gjithashtu në punë, kështu që ajo e ka lënë një shoqe në shtëpi dhe Mikeyt ca para për ushqim. Kur Mikey dhe Hayley kanë folur për herë të fundit në telefon atë pasdite, ai i kishte thënë se do të takohej me shokët në një restorant afër shtëpisë.
Sipas një djali, të quajtur Luke – shok i Mikeyt që ishte me të atë ditë – pasi ishin takuar në restorant, kishin parë ftesat për festë në Snapchat. Festa ishte në periferi të Bathit – për ta festuar ditëlindjen e 16-të të një vajze. “Menduam: ‘Pse jo?’”, ka treguar Luke.
Më vonë atë mbrëmje, pasi janë mbledhur shokët, i kanë hipur autobusit numër 19 për të shkuar në festë. Kanë ndaluar për të blerë alkool dhe kanë arritur në festë kah ora 21:45. Policia ka thënë se rreth 70 të rinj nga Bathi, Bristoli dhe vende të tjera kishin shkuar te shtëpia.
Mikey dhe shokët e tij kishin shkuar në kopshtin pas shtëpisë, i ishte thënë gjyqit. Në fillim “ishte festë e qetë”, ka thënë Luke. “Të gjithë ishin të lumtur, askush nuk bënte probleme”.
Megjithatë, sipas prokurorisë, gjatë gjykimit tre djemtë që e kanë vrarë Mikeyn kishin shkuar në festë të armatosur. Janë parë pamjet nga kamerat e sigurisë së autobusëve, ku shihet se ata kishin shkuar nga Wiltshire në Bath. Në pamje vërehet se kanë pasur objekte të mprehta nën rrobat e tyre.
Gjyqit i është thënë se në festë adoleshentët ishin duke pirë alkool dhe duke pirë cigare. Shumë nga djemtë kishin të vendosura maska.
Muzika kishte vazhduar. Në një moment, “Oh Dear” – kënga e Mikeyt – ka filluar. Një grup me vajza i ishin afruar Mikeyt pasi e kanë kuptuar se ai ishte reperi, sipas Lukes.
Luke nuk e ka parë therjen. Në fillim ai e ka kuptuar se kishte ndodhur diçka kur ka filluar të dëgjonte njerëz duke bërtitur.
Pastaj, ka shtuar Luke, e ka parë Mikeyn duke qëndruar në pragun e derës me dorën në qafë. “Ka pasur gjak gjithandej dhe ai vetëm thoshte se do të vdiste”, ka thënë ai.
Luke ka thënë se ai dhe një tjetër adoleshent e kanë ndihmuar Mikeyn të dalë jashtë shtëpisë. Mikeyt i ka rënë të fikët jashtë.
Thirrja e 999 ishte realizuar në orën 22:59. Shërbimi Jugperëndimor i Ambulancave (SWAS) e ka alarmuar Rich Wain-Hobson – doktor vullnetar për thirrje emergjente. Ai ishte në vendngjarje në orën 23:10.
“Kur arrita atje ishte kaos”, ka thënë ai. “Kishte shumë të bërtitura, klithma dhe të qara”. Shpejt, atij i është bashkuar ekipi ambulator.
Will Stephensi ishte një nga policët e parë në ngjarje. Ai kishte filluar të qante teksa kishe treguar për përpjekjet për ta ringjallur Mikeyn. “Isha baba në atë moment”, ka thënë ai. “Vetëm mendoja se sa e tmerrshme do të ishte nëse djali im do të gjendej në një situatë të tillë. Dhe kjo ishte shqetësuese”.
Mikey ishte pa vetëdije dhe nuk kishte puls, ka thënë Wain-Hobsoni. Doktori ka shtuar se ekipit i është dashur kohë për ta gjetur plagën, e cila ishte në pjesën e pasme të qafës. Por kur e kanë gjetur, ata e kanë parë se “ishte shumë e thellë dhe në një pjesë kritike të trupit”.
Ndërsa mjekët, fqinjët dhe policia kishin bërë më të mirën për ta shpëtuar Mikeyn, Wain-Hobsoni ka thënë se nuk mendon që Mikey do të mund t’i mbijetonte asaj plage. Në orën 23:28, Mikey ishte deklaruar i vdekur.
Në Birmingham, Hayley e kishte marrë telefonin dhe kishte parë se kishte shumë thirrje të humbura. Ajo e ka thirrur Mikeyn në telefon dhe i ishte përgjigjur një shok i tij. Ishte shoku që i kishte treguar se Mikey ishte therur, ka treguar ajo: “Ai nuk është më, Hayley”.

Ajo nuk ia kishte idenë se Mikey ishte në festën në Bath. Në dy orët e rrugës në taksi ajo “shpresonte të mbërrinte në sa më shpejt”.
Kur kishte arritur, ajo kishte parë makinën e policisë, tendën e mjekëve ligjorë, oficerë në kostume të bardha. “Pyesja: ‘A është akoma atje?’. Ishte duke rënë shi. Ju lutem mos e lini jashtë në të ftohtë”.
Wain-Hobsonit i kujtohet kur është kthyer në shtëpi, i mbushur adrenalinë: “Është ora tre e mëngjesit dhe je në shtëpi, gruaja dhe fëmijët janë duke fjetur, por ti nuk mundesh”, ka thënë ai. “Në javët e ardhshme kalova kohë të gjatë duke menduar, a kam mundur të bëja diçka ndryshe?”
Në sistemin e forcave të inteligjencës, Stephensi e kishte parë një foto të Mikeyt.
“Isha shumë i mërzitur nga kjo”, ka thënë ai. “Më goditi realiteti – kontrasti në mendjen time, i Mikeyt në tokë, i lënduar, duke vdekur dhe pastaj fotoja e tij i shëndetshëm, i lumtur”.
Gjykimi
Hetimi ka avancuar shpejt. Oficerët kanë gjetur dy thika – thika e vrasjes ishte gjetur në një kanal.
Cunninghami dhe Bushnelli janë arrestuar pas disa ditësh. Knighti ishte intervistuar një herë si dëshmitar, por pas katër muajve ishte arrestuar, pasi ishte gjetur ADN-ja e tij në njërën prej thikave.
Por ishte e paqartë për familjen e Mikeyt se çfarë i kishte ndodhur saktësisht. Të akuzuarit vetëm kishin dhënë deklarata të shkurtra, duke insistuar se ishin të pafajshëm.
Në Kingswood, komuniteti ishte i tronditur. Në parkun afër shtëpisë së Mikeyt, qindra njerëz ishin mbledhur në kujtim të tij.
Në ndërkohë, familja e tij vetëm sa kishte filluar ta ndiente pikëllimin. “Ndihesha e shtangur”, ka thënë Hayley. Për javë të tëra ajo nuk kishte dalë nga shtëpia. Kishte parë makthe të tmerrshme.
Përveç familjes, trauma kishte prekur edhe të tjerët. Sharon Gray ishte prekur nga makthet gjithashtu. Edhe pse e di se e ka bërë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën Mickeyt, ajo shpesh pyet veten nëse mund të kishte bërë më shumë. Konsultimet dhe terapia e kishin ndihmuar.
Në shkurt të këtij viti, gjykimi ishte gati të fillonte. Hayley kishte frikë, por ka vendosur të ishte e pranishme për hir të Mickeyt. I kishte shikuar të akuzuarit në sy dhe ata ia kishin kthyer shikimin. “Ishte e tmerrshme”, ka thënë ajo. “Jam ndier sikur nuk kishin keqardhje”.
Justice Sainie e ka dënuar Cunninghamin me burg të përjetshëm dhe ka urdhëruar të kalonte afatin minimal prej 16 vjetësh në paraburgim përpara se të konsiderohej lirimi me kusht. Bushnelli është dënuar me nëntë vjet dhe Knighti me nëntë vjet e gjashtë muaj.
Hayleyt dhe anëtarëve e tjerë të familjes u është dashur të qëndrojnë dhe t’i dëgjojnë dëshmitë për therjen e Mickeyt. Edhe pse dhjetëra adoleshentë kanë qenë në festë, ka pasur pak dëshmitarë. Të akuzuarit kanë pretenduar se ishte bërë për vetëmbrojtje, por nuk kanë pasur prova.
“Në fund të hetimit, në fund të gjykimit, ne akoma nuk jemi 100% të sigurt se pse e kanë therur Mickeyn”, ka thënë Mark Newbury oficeri i lartë hetues.
Policisë i është thënë se ka pasur mundësi të ketë qenë grabitje ose është provokuar nga derdhja e pijes, ose “thjesht mosrespektim”.
Një dëshmitar – që kishte shkuar në festë me të akuzuarit – në fillim i ka thënë policisë se para therjes Mikey kishte thikë. Por ishte vetëm 60% i sigurt se individi me maskë ishte Mikey. Oficerët nuk kanë gjetur prova se Mikey kishte thikë.
“E di çfarë do të thonë njerëzit: ‘Ai bënte muzikë drill dhe vishte maska’’, ka thënë Hayley. “Është e vërtetë – por kjo nuk do të thotë që ai kishte armë ose që do ta therte dikë”.
“Edhe nëse ka pasur thikë Mikey, kjo nuk e justifikon atë që i ka ndodhur atij”, ka thënë Newbury.
Rasti i Mikeyt ka nxitur debatin për rritjen e krimeve me thikë në Brisstol dhe distriktet afër.
Luke, miku i Mikeyt, ka thënë se nuk ka kuptim që vrasësit kanë menduar se ishte e pranueshme të sillnin armë të tilla vdekjeprurëse në festën e ditëlindjes së një 16-vjeçareje.
Sophie, kushërira e Mikeyt, ka thënë se krimet me thikë kanë ngjallur ndjenjë frike në mesin e të rinjve. “Ata mendojnë se njerëzit e tjerë kanë thikë, prandaj duhet të mbajnë thikë për ta mbrojtur veten”, ka thënë ajo. “Këta fëmijë besojnë se duhet të mbajnë thikë për t’u ndier të sigurt”.
Hayley ka nisur fushatën “Mikey’s World”, me synimin që numri i sulmeve me thikë të ulet. Ajo gjithashtu ofron pako kundër gjakderdhjes - të cilat përfshijnë pajisje që mund ta parandalojnë gjakderdhjen derisa presin për ndihmësmjekët.
Kjo e lejon atë të fokusohet në diçka tjetër dhe jo në humbjen e djalit. Por ajo e di që jeta e saj nuk do të jetë kurrë siç ka qenë.
“Nuk do të jetë kurrë e njëjtë”, ka thënë ajo. “Supozoj se duhet të mësohem të jetoj ndryshe”.
I duket e vështirë që askush nuk do ta thërrasë nënë më.
“Është shumë e vështirë”, ka thënë ajo. “Nuk do të jem kurrë gjyshe. Gjithmonë kam dashur. Do të jetë e vështirë”.
Një pjesë e saj beson se djali do të kthehet përsëri në shtëpi. Për çdo rast, ajo ia lë këpucët pranë derës së pasme dhe këpucët e punës pranë derës së parme.