Botë

Vota vendimtare e Gjeorgjisë u dëmtua nga frikësimi, thonë vëzhguesit evropianë

Gjeorgji

Foto: Associated Press

Delegacionet evropiane që kanë monitoruar zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji kanë konstatuar shkelje të shumta dhe raste dhune gjatë procesit zgjedhor. Sipas tyre, kishte shqetësime të shumta në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë "klimën e përhapur të presionit dhe frikësimin e organizuar nga partia në pushtet", blerjen e votave dhe paanshmërinë e institucioneve shtetërore.

Vëzhguesit evropianë kanë thënë të dielën se zgjedhjet e Gjeorgjisë u zhvilluan në një "klimë urrejtjeje dhe frikësimi" me shkelje të shumta zgjedhore dhe raste dhune, duke minuar rezultatin e votimit që mund të vendosë të ardhmen e vendit në Evropë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i vendit ka thënë se “Ëndrra Gjeorgjiane” e cila ndodhet në pushtet, fitoi 54.8% të votave të së shtunës, me pothuajse të gjitha fletëvotimet e numëruara. Pas një fushate përçarëse parazgjedhore, shifrat fillestare thonë se pjesëmarrja është më e larta që kur partia në pushtet u zgjodh për herë të parë në vitin 2012.

Kishte shqetësime të shumta në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë "klimën e përhapur të presionit dhe frikësimin e organizuar nga partia", blerjen e votave dhe paanshmërinë e institucioneve shtetërore, sipas Julian Bulai, kreu i delegacionit të “PACE” që monitoron zgjedhjet.

“Ëndrra Gjeorgjiane” është bërë gjithnjë e më autoritare gjatë vitit të kaluar, duke miratuar ligje të ngjashme me ato të përdorura nga Rusia për të goditur lirinë e fjalës. Brukseli pezulloi procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE për një kohë të pacaktuar për shkak të një "ligji rus", të miratuar në qershor. Shumë gjeorgjianë e panë votimin e së shtunës si një referendum mbi mundësinë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

“Gjatë fushatës, ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ përdori "retorikë anti-perëndimore dhe armiqësore, promovoi dezinformata ruse, manipulime dhe teori konspirative”, ka thënë Antonio Lopez-Isturiz White, kreu i delegacionit monitorues të Parlamentit Evropian.

Kryeministri Irakli Kobakhidze e përshkroi të dielën fitoren e “Ëndrrës Gjeorgjiane” si "mbresëlënëse”, teksa tha se "të gjitha përpjekjet për të folur për manipulimin e zgjedhjeve, janë të dënuara me dështim".
Vëzhguesit e zgjedhjeve gjeorgjiane, të cilët ishin të vendosur në të gjithë vendin, raportuan gjithashtu shkelje të shumta dhe thanë se rezultatet nuk pasqyrojnë "vullnetin e popullit gjeorgjian".
Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i “Ëndrrës Gjeorgjiane”, i cili bëri pasurinë e tij në Rusi, shpalli fitoren pothuajse menjëherë pas mbylljes së votimeve të shtunën.

“Është e rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë”, ka deklaruar Ivanishvili.

Tina Bokuchava, kryetarja e partisë opozitare “Lëvizja e Bashkuar Kombëtare”, ka akuzuar Komisionin Zgjedhor për kryerjen e "urdhrit të pistë" të Ivanishvilit teksa ka shtuar se institucioni "vodhi fitoren nga populli gjeorgjian dhe në këtë mënyrë vodhi të ardhmen evropiane". Ajo ka shtuar se opozita nuk do t'i njohë rezultatet dhe "do të luftojë si kurrë më parë për të rimarrë të ardhmen evropiane".

Gjeorgjianët kanë një marrëdhënie komplekse me Rusinë, e cila e sundoi atë nga Moska derisa Gjeorgjia e fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Rusia dhe Gjeorgjia zhvilluan një luftë të shkurtër në vitin 2008 teksa Moska ende ka nën pushtim 20% të territorit të Gjeorgjisë.

Pavarësisht kësaj, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka miratuar ligje të stilit rus dhe shumë gjeorgjianë kanë frikë se qeveria po e distancon vendin nga Perëndimi. Rreth 80% e gjeorgjianëve favorizojnë anëtarësimin në BE, sipas sondazheve, dhe kushtetuta e vendit i detyron liderët e tij të punojnë për anëtarësimin në bllok dhe në NATO.