Në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar evropianëve, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten ka folur për tarifat e vendosura nga administrata Trump për Bashkimin Evropian.
Në fillim të fjalimit, Von der Leyen i quajti tarifat goditje të madhe për ekonominë globale.
“Ne duhet të jemi të qartë për pasojat e mëdha. Ekonomia globale do të vuajë masivisht, pasiguria do të spiralizohet dhe do të shkaktojë rritjen e proteksionizmit të mëtejshëm. Pasojat do të jenë të tmerrshme për miliona njerëz në mbarë botën”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian.
Tutje, ajo theksoi ndikimin që tarifat e Trumpit do të kenë te konsumatorët dhe bizneset, të cilët zakonisht përfundojnë duke paguar para ekstra për mallrat pas zbatimit të masave të tilla.
“Konsumatorët do ta ndjejnë këtë menjëherë, do të rrezikojë veçanërisht qytetarët më të ndjeshëm. Të gjitha kompanitë, të mëdha dhe të vogla, do të vuajnë që në ditën e parë. Kostot e të bërit biznes me Amerikën do të rriten në mënyrë drastike”, shtoi ajo.
Në fund të deklaratës, Von der Leyen theksoi pozicionin e Evropës si një front i bashkuar.
“Ne jemi në këtë së bashku. Nëse ju luftoni kundër njërit prej nesh, ju luftoni kundër të gjithëve ne. Uniteti ynë është forca jonë. Evropa do të qëndrojë pranë atyre që preken drejtpërdrejt. Evropa qëndron së bashku. Për biznesin, për qytetarët dhe për të gjithë evropianët. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura me të gjithë ata që kujdesen për tregtinë e drejtë bazuar në rregulla si bazë për prosperitet”, përfundoi Von der Leyen.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së, të cilat kanë hyrë në fuqi para disa orësh. Tarifë i është vendosur edhe Kosovës.