Botë

Von der Leyen kërkon nga vendet e BE-së të blejnë armë nga prodhuesit evropianë

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Vendet e Bashkimit Evropian duhet të blejnë pajisje ushtarake të prodhuara në Evropë sipas një programi të ri kredie që synon të ndihmojë kontinentin të shtojë sigurinë e tij, ka thënë të martën një zyrtar i lartë i BE-së, edhe pse shumica e materialit të tij të mbrojtjes aktualisht vjen nga furnizuesit amerikanë.

Në një samit javën e kaluar, 27 liderët e BE-së peshuan një propozim të Komisionit Evropian për një plan të ri kredie me vlerë 150 miliardë euro. Ai do të përdoret për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë dhe "mundësues strategjikë" si transporti ajror, si dhe për të rritur sigurinë kibernetike, raporton AP.

"Këto kredi duhet të financojnë blerjet nga prodhuesit evropianë, për të ndihmuar në rritjen e industrisë sonë të mbrojtjes”, u ka thënë ligjvënësve të BE-së presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen ka shtuar se "kontratat duhet të jenë shumëvjeçare, për t'i dhënë industrisë parashikueshmërinë që i nevojitet" dhe se përparësia duhet të jetë që vendet të blejnë pajisje së bashku në grupe sepse siç ka thënë “ne e kemi parë se sa e fuqishme mund të jetë kjo".

Anëtarët evropianë të NATO-s në vitet e fundit kanë rreth dy të tretat e porosive të tyre për armë, për kompanitë amerikane, por ata janë nxitur për veprim pas paralajmërimeve të administratës Trump se ata do të duhet të krijojnë sigurinë e tyre dhe të Ukrainës në të ardhmen.

Franca dëshiron që komisioni të vendosë më shumë para në planin e huasë dhe gjithashtu ka insistuar që ato duhet të shpenzohen vetëm në Evropë. 

Udhëheqësit e BE do të miratojnë planin e huasë, nga i cili komisioni beson se do të përfitojnë rreth 20 vende, kostot e huamarrjes së të cilëve do të jenë më të larta se ajo e degës ekzekutive, në një samit tjetër në fund të javës së ardhshme.