Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të premten ka reaguar pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vendosur sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP). Ajo ka thënë se GJNP duhet të jetë e aftë të luftojë kundër padrejtësisë ndërkombëtare pa pengesë, raporton Reuters.
“Gjykata Ndërkombëtare Penale garanton llogaridhënien për krimet ndërkombëtare dhe u jep zë viktimave në mbarë botën. Duhet të jetë e aftë të vazhdojë betejën kundër krimit ndërkombëtar. Evropa do të qëndrojë gjithmonë për drejtësi dhe për respektim të së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Von der Leyen në rrjetin social X.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur sanksione ndaj GJNP-së pas akuzave se ka bërë “veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka reaguar kundër sanksioneve, duke e dënuar lëshimin e urdhrit ekzekutiv nga SHBA-ja, i cili sipas tyre synon të sanksionojë zyrtarët e saj dhe të dëmtojë punën e pavarur dhe të paanshme të gjykatës.
Gjermania vazhdon mbështetjen për GJNP përkundër sanksioneve amerikane
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), pavarësisht sanksioneve të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton Al Jazeera.
“Nuk do të isha plotësisht i befasuar nëse disa shtete do të mblidheshin në New-York gjatë ditës së sotme dhe ta shpallnin publikisht mbështetjen e tyre edhe një herë”, ka shtuar zëdhënësi gjerman.