Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të hënën se Bashkimi Evropian po kërkon të bëjë më shumë biznes diku tjetër në botë pasi tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump kanë goditur tregtinë ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se BE-ja po krijon gjithashtu një grup pune për të monitoruar çdo dumping në tregjet e saj që mund të ndodhë me ndryshimin e modeleve tregtare.
“Pas marrëveshjeve të bëra tashmë me Meksikën dhe Zvicrën, ne po punojmë me Indinë, Tajlandën, Malajzinë, Indonezinë dhe shumë të tjera”, është shprehur ajo.
Von der Leyen ka shtuar se grupi i punës do të ndihmojë për të monitoruar çdo rritje të papritur të importeve.
Komisioni Evropian negocion marrëveshjet tregtare dhe mosmarrëveshjet në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Von der Leyen këmbëngul se BE-ja ende dëshiron një marrëveshje me administratën Trump, por ka shtuar se po përgatit një listë të mundshme me masa hakmarrëse, nëse kjo është e nevojshme.