Botë

Von der Leyen: Asgjë jashtë tryezës kur është fjala për mbrojtjen

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se "asgjë nuk është jashtë tryezës" kur bëhet fjalë për mbledhjen e parave për mbrojtjen.

Ajo ka paralajmëruar se vlerat evropiane si demokracia dhe sundimi i ligjit janë nën kërcënim në një botë gjithnjë e më "transaksionale", raporton AP.

Pa përmendur emrin e Donald Trumpit, shefja ekzekutive e BE-së u ka thënë gazetarëve të dielën se kishte një ndjenjë të re urgjence në sferën gjeopolitike dhe se "diçka thelbësore" kishte ndryshuar që kur ajo filloi mandatin e saj të dytë në detyrë më 1 dhjetor, gati 100 ditë më parë.

“Vlerat tona evropiane, demokracia, liria, sundimi i ligjit janë nën kërcënim”, ka thënë von der Leyen. 

“Ne shohim se sovraniteti, por edhe angazhimet e hekurta janë vënë në pikëpyetje. Gjithçka është bërë transaksionale”, ka shtuar ajo.

Udhëheqësit e BE-së javën e kaluar janë zotuar të rrisin në mënyrë dramatike shpenzimet ushtarake pasi von der Leyen prezantoi një plan prej 800 miliardë eurosh për të lejuar shtetet anëtare të marrin kredi dhe të rrisin borxhet kombëtare pa pësuar ndëshkime sipas rregullave të rrepta fiskale të bllokut.

Megjithatë, shumë shtete anëtare dëshirojnë të shkojnë më tej, me huamarrje të përbashkëta për të financuar grante direkte, në vend të kredive, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.