Lee Yong-soo ka frikë se nuk po i mbetet kohë ta përmbyllë përvojën e hidhur. 93-vjeçarja është përfaqësuesja e një grupi të të mbijetuarve të skllavërisë seksuale të Koresë Jugore, të cilat që nga vitet ‘90 kanë qenë duke kërkuar nga Qeveria japoneze ta pranojë fajin dhe të kërkojë falje
(AP) – Tridhjetë vjet pasi kishte treguar publikisht historinë e saj të rrëmbimit, përdhunimit dhe prostitucionit nga ushtria japoneze në kohën e luftës, Lee Yong-soo ka frikë se nuk po i mbetet kohë ta përmbyllë përvojën e hidhur.
93-vjeçarja është përfaqësuesja e një grupi të të mbijetuarve të skllavërisë seksuale të Koresë Jugore, të cilat që nga vitet ‘90 kanë qenë duke kërkuar nga Qeveria japoneze ta pranojë fajin dhe të kërkojë falje.
Përpjekja e fundit
Përpjekja e saj e fundit është të bindë qeveritë e Koresë Jugore dhe Japonisë që ta zgjidhin problemin e skllavërisë seksuale duke kërkuar gjykim nga Kombet e Bashkuara.
Lee udhëheq një grup ndërkombëtar të të mbijetuarve të skllavërisë seksuale dhe i mbron ata duke përfshirë këtu të mbijetuarit nga Filipinet, Kina, Indonezia, Australia dhe Timori Lindor, të cilët u kishin dërguar një peticion hetuesve të të drejtave njerëzore të OKB-së javën e kaluar për t’i shtyrë shtetet e Seulit dhe Tokios për t’u bashkuar në paraqitjen e këtij problemi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së. Nga Seuli kërkohet që t’i nisë procedurat gjyqësore kundër Japonisë në panelin e torturës në OKB, nëse Tokio nuk pajtohet që ta sjellë rastin në GJND.
Nuk është ende e sigurt nëse Korja Jugore, e cila do të ketë një qeveri të re në maj, do ta konsiderojë paraqitjen e kësaj çështjeje para OKB-së gjatë kohës kur ajo është duke u përballur me presionin për përmirësimin e marrëdhënieve me Japoninë. Vendi nuk ka luftuar kurrë një çështje nën procedura të tilla dhe çdo gjë më pak se një fitore mund të konsiderohet si humbje.
Gjatë kohës kur të mbijetuarit e tjerë po vdesin, është e vështirë për Lee të jetë e durueshme.
Ajo ka frikë se kjo çështje do të harrohet apo të shtrembërohet nga përpjekjet e qarta të Japonisë për të minimizuar natyrën e dhunshme të skllavërisë seksuale gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ta përjashtojë atë nga librat shkollorë.

Skllavëri seksuale
Ajo qau teksa përshkruante mënyrën se si ajo ishte marrë nga shtëpia e saj në moshën 16-vjeçare për të shërbyer si skllave për Ushtrinë Perandorake të Japonisë, dhe teksa përshkruante abuzimin e vrazhdë që ajo kishte përjetuar në një bordel të ushtrisë japoneze në Tajvan deri në përfundim të luftës – histori të cilën ajo për herë të parë ia kishte rrëfyer botës në vitin 1992.
“Koreja Jugore dhe Japonia vazhdimisht po presin që ne të vdesim, por unë do luftoj deri në fund”, ka thënë Lee gjatë një interviste të fundit për “The Associated Press”. Ajo tha se kampanja e saj ka për qëllim t’i bëjë presion Japonisë që ta pranojë plotësisht përgjegjësinë dhe ta njohë ish-skllavërimin seksual të ushtrisë së saj si krim lufte dhe ta edukojë në mënyrë të denjë publikun rreth këtyre abuzimeve përmes librave shkollorë dhe përmes memorialeve.
“Mendoj se ka ardhur koha që të përballem me këtë situatë të vështirë dhe të bëj çfarëdo që mundem në zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Lee.
Ankesat rreth skllavërisë seksuale, punës së detyruar dhe abuzimet e tjera që kanë rrënjët te sundimi kolonial i Gadishullit Korean para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kanë tensionuar marrëdhëniet Seul-Tokio gjatë viteve të fundit pasi armiqësitë përfshinë edhe çështjet e tregtisë dhe bashkëpunimit ushtarak. Këto konflikte kanë irrituar Washingtonin, i cili dëshiron bashkëpunime më të forta me aleatët e saj aziatikë në mënyrë që të ballafaqohet me vështirësitë e sjella nga Koreja Veriore dhe Kina.
Ndryshimi
Ndryshimi i ardhshëm i Qeverisë në Seul ka rritur shpresat në Japoni për marrëdhënie më të mira. Pas fitimit të zgjedhjeve këtë muaj, Presidenti konservativ i Koresë së Veriut, Yoon Suk Yeol, është zotuar për bashkëpunim “me fokus në të ardhmen” me Japoninë.
Mirëpo këto shtete mund ta kenë të vështirë të fokusohen në të ardhmen nëse ata nuk do t’i harrojnë mosmarrëveshjet e së kaluarës.
Lee, e cila në vitin 2007 kishte dëshmuar në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së përpara se të miratonte një rezolutë historike duke nxitur Japoninë ta njohë skllavërinë seksuale gjatë luftës, nuk beson më se Seuli dhe Tokio mund të zgjidhin konfliktin e tyre historik pa ndihmën e OKB-së.
Vitet e bisedimeve bilaterale diplomatike ishin të padobishme. Një marrëveshje e çastit e arritur nga ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve në vitin 2015 – duke përfshirë Fumio Kishidan, kryeministrin e tanishëm të Japonisë – kurrë nuk arriti qëllimin për të zgjidhur përfundimisht këtë problem.
Lee dhe të mbijetuarit e tjerë kanë thënë se zyrtarët e Seulit nuk ishin konsultuar me ta para se ta bënin marrëveshjen, përmes së cilës Japonia u pajtua të kontribuojë 1 miliard jen (8 milionë dollarë) për një fondacion të Koresë Jugore, qëllimi i të cilit ishte mbështetja e viktimave. Ata dyshuan në sinqeritetin e Qeverisë japoneze – në atë kohë e udhëhequr nga kryeministri i krahut të djathtë, Shinzo Abe, i cili ishte akuzuar për një kohë të gjatë nga koreanët jugorë se kishte fshehur krimet e luftës së Japonisë – sepse zyrtarët japonezë kishin theksuar se paratë nuk duhet të konsiderohen si kompensim.
Shpërfillja e gjykatave
Vendimet e gjykatave të Koresë së Jugut, të cilat u kanë bërë thirrje Qeverisë së Japonisë dhe kompanive të sigurojnë dëmshpërblime për viktimat e skllavërisë seksuale dhe punës së detyruar, janë refuzuar nga shteti i Tokios, i cili insiston se të gjitha çështjet e dëmshpërblimeve të luftës janë zgjidhur përmes një marrëveshjeje të vitit 1965, e cila normalizoi marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve.
Historianët thonë se dhjetëra mijëra gra, shumica prej të cilave ishin koreane, ishin dërguar në bordele të ushtrisë për t’iu ofruar marrëdhënie seksuale ushtarëve japonezë. Gjatë kohës së marrëveshjes së vitit 2015, 46 nga 239 gra, të cilat ishin regjistruar në Qeverinë e Seulit si viktima, ishin ende gjallë në Korenë Jugore, por tani kanë mbetur vetëm 12 gra.
Japonia në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur keqardhje për veprimet e saj gjatë luftës. Ajo ka krijuar një fondacion nga kontributet private në vitin 1995 për të kompensuar viktimat në Filipine, Kore Jugore dhe Tajvan para se ky fondacion të përfundonte në vitin 2007.
Shumë koreanë jugorë besojnë se komentet dhe veprimet e mëhershme të Tokios kishin mungesë sinqeriteti dhe ky shtet dështoi në dëmshpërblimet ligjore para se ato të ishin shkatërruar nga konservatorët të cilët kishin minimizuar apo kishin vënë në pikëpyetje të kaluarën e luftës japoneze. Ata po ashtu janë të zhgënjyer rreth faktit se librat shkollorë japonezë po i bëjnë brutalitetet e shkaktuara gjatë viteve të kaluara të duken më të pranueshme.
Një raport i OKB-së i vitit 1996 kishte konkluduar se skllevërit për marrëdhënie seksuale ishin marrë me “dhunë”. Një deklaratë nga Japonia e bërë në vitin 1993 kishte pranuar që gratë ishin marrë “kundër dëshirës së tyre, me forcë”, por udhëheqësi i popullit e kishte mohuar këtë gjë më vonë.
“Gra për komoditet”
Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë tani thotë se Qeveria e saj nuk ka gjetur dokumente të cilat tregojnë përdorimin e forcës gjatë rekrutimit të të ashtuquajturave “gra për komoditet” dhe refuzon ta përshkruajë sistemin si skllavëri seksuale. Tokio ka nxitur Seulin ta pranojë marrëveshjen e vitit 2015 dhe ka përshkruar paditë e fundit të bëra nga viktimat e skllavërisë seksuale të Koresë Jugore, të cilët po kërkojnë kompensim si “absolutisht të papranueshme”.
Lee filloi fushatën vitin e kaluar që Seuli dhe Tokio t'i referonin bashkërisht mosmarrëveshjet e tyre lidhur me skllavërinë seksuale në GJND në Hagë, e cila është gjykata më e lartë e OKB-së. Pas një përgjigjeje të heshtur nga të dyja qeveritë, Lee tani po kërkon që Koreja e Jugut të bëjë thirrje për një panel të OKB-së për të shqyrtuar nëse Tokio po dështon t’i përmbushë detyrimet e veta sipas Konventës kundër Torturës së vitit 1984 duke mohuar ose minimizuar brutalitetet e saj të së kaluarës.
Koreja e Jugut ose mund të paraqesë një ankesë kundër Japonisë në komitetin e konventës kundër torturës ose ta padisë Japoninë në GJND për shkelje të konventës, tha Ethan Hee-Seok Shin, ekspert i së drejtës ndërkombëtare që po ndihmon me përpjekjet e Lee. Në trajtimin e mosmarrëveshjeve midis vendeve, konventa lejon që çdo palë t'ia referojë çështjen GJND-së nëse vendet nuk mund të bien dakord brenda gjashtë muajve për një panel arbitrazhi. Vendimet e GJND-së janë të detyrueshme për shtetet anëtare të OKB-së.
"Kjo çështje nuk vdes me të mbijetuarit", tha Lee. "Nëse nuk mund t’i zgjidhë këto probleme, atëherë ato kalojnë te brezi ynë i ardhshëm”.
Përktheu: Marigona Avdimetaj