Botë

Videoja e përplasjes së një aeroplani me kamionin zjarrfikës në aeroportin e Perusë

Një aeroplan i LATAM Airlines është përplasur me një kamion zjarrfikës në pistë teksa po ngrihej nga aeroporti në kryeqytetin e Perusë, Lima, gjë që rezultoi në vdekjen e dy zjarrfikësve, njoftuan mediat lokale të shtunën, transmeton Independent.

Ministria e Shëndetësisë e Perusë njoftoi se 20 pasagjerë u shtruan në spital dhe të paktën dy ishin në gjendje të rëndë.

Presidenti Pedro Castillo shprehu ngushëllimet e tij për familjet e dy zjarrfikësve në një deklaratë në Twitter, duke thënë se po lutet për shërimin e të lënduarve.

Nuk është e qartë pse kamioni i zjarrfikësve hyri në pistë ndërsa avioni po ngrihej. Prokuroria deklaroi se po heton ngjarjen si një vrasje e mundshme.

Një video e postuar në rrjetet sociale tregon avionin duke u përplasur me kamionin teksa zbret në pistë. Aeroplani më pas shpërtheu shpejt në flakë ndërsa ndaloi.