Rusia i ka vënë veton një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të enjten, duke i dhënë fund mandatit të panelit të ekspertëve të OKB-së, që monitoronte sanksionet kundër Koresë së Veriut.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit kishte për qëllim zgjatjen e mandatit të panelit edhe për një vit, por vetoja e Rusisë do të ndalojë operacionet e tij, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Votimi në këshillin prej 15 anëtarësh përfshinte 13 vota pro, Rusia ishte kundër dhe Kina abstenoi.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, i tha këshillit para votimit se vendet perëndimore po përpiqen ta mbysin Korenë e Veriut dhe se sanksionet kanë dalë të jenë të parëndësishme dhe të shkëputura nga realiteti sa i përket frenimit të programit të saj bërthamor.
Rezoluta nuk ndryshon sanksionet, të cilat mbeten në fuqi.