Veteranë dhe udhëheqës botërorë takohen në Normandi të enjten për të shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të 6 qershorit 1944 në Ditën D, kur më shumë se 150,000 ushtarë aleatë mbërritën në Francë nga deti dhe ajri për të dëbuar forcat e Gjermanisë naziste.
Me luftën e ndezur në Ukrainë, në kufijtë e Evropës, përkujtimi i sivjetshëm i kësaj kthese të madhe në Luftën e Dytë Botërore do të ketë një jehonë të veçantë, raporton Reuters.
Përvjetori zhvillohet gjithashtu në një vit me shumë zgjedhje, duke përfshirë ato për Parlamentin Evropian këtë javë, dhe në SHBA në nëntor.
“Demokracia është fjalë për fjalë në fletëvotim këtë vit”, ka deklaruar presidenti i SHBA-së, Joe Biden përpara se të udhëtonte në Francë.
Me numrin e veteranëve, shumica prej të cilëve të moshës 100 ose më shumë, që po pakësohet shpejt, kjo ka të ngjarë të jetë ceremonia e fundit e madhe në Normandi që i nderon ata në praninë e tyre.
Rreth 200 veteranë, shumica prej tyre amerikanë ose britanikë, do të marrin pjesë në ceremoni gjatë gjithë ditës në plazhet që mbajnë ende plagët e luftimeve që shpërthyen në Ditën D, pushtimi më i madh në histori, në të cilin mijëra ushtarë aleatë vdiqën.
Mes atyre që do të marrin pjesë është 101-vjeçari Bob Gibson, i cili ishte në valën e dytë të ushtarëve qw kishin zbritur në plazhin e Jutas të Normandisë.
"Është sikur ndodhi dje. Nuk do ta besoni atë që kam parë. E tmerrshme. Disa nga të rinjtë nuk arritën kurrë në plazhin kryesor... ndonjëherë ju zgjon natën”, ka thënë ai për Reuters.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ai francez Emmanuel Macron, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mbreti i Britanisë Charles, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shumë të tjerë do të marrin pjesë në ditën e homazheve, e cila do të fillojë rreth orës 08:30 sipas kohës lokale, me një ceremoni britanike në Ver-sur-Mer.