Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro ka miratuar të mërkurën një ligj që e përcakton përfshirjen e rajonit Essequibo si pjesë të territorit të Venezuelës.
Guajana dhe Venezuela kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme për territorin e pasur me naftë dhe minerale, raporton AP.
Venezuela pretendon se territori i është vjedhur kur kufiri është ndryshuar në fund të shekullit të 19-të.
Implikimet praktike dhe ligjore të ligjit janë të paqarta, siç është edhe mënyra se si autoritetet e Venezuelës do të zbatojnë ushtrimin e juridiksionit mbi territorin.
Guajana e konsideron ligjin e ri dhe veprimet e tjera të zbatuara nga qeveria e Venezuelës si hapa drejt aneksimit.
Essequibo, rajon i pasur me minerale, mbulon rreth dy të tretat e sipërfaqes së Guajanës.
Guajana ka argumentuar se komisioni ndërkombëtar kufitar i vitit 1899 ka përcaktuar kufirin një herë e përgjithmonë. Por për më shumë se 60 vjet Venezuela e ka akuzuar komisionin se ka mashtruar.