Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë brenda Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja, ka shkaktuar një përgjigje të furishme në Rusi.
“Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden… ka marrë një nga vendimet më provokuese, të pallogaritura të administratës së tij, që rrezikon pasoja katastrofike”, thuhet në faqen e internetit të gazetës qeveritare ruse “Rossiyskaya Gazeta” të hënën në mëngjes, raporton BBC.
Deputeti rus, Leonid Slutsky, kreu i Partisë Liberal-Demokratike pro-Kremlinit, parashikon se vendimi "do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një përshkallëzim serioz, duke kërcënuar me pasoja të rënda".
Senatori rus, Vladimir Dzhabarov e quajti atë "një hap të paprecedentë drejt Luftës së Tretë Botërore".
Komsomolskaya Pravda, tabloidi pro-Kremlinit, e quajti vendimin "një përshkallëzim të parashikueshëm".
Megjithatë, ajo që ka vërtet rëndësi është se si do ta quajë vendimin presidenti rus, Vladimir Putin, dhe si do të përgjigjet ai.
Putini nuk ka reaguar ende, mirëpo ai ka folur shumë herë më parë rreth kësaj.
Në muajt e fundit, Kremlini ia ka bërë të qartë mesazhin Perëndimit: mos e bëni këtë, mos hiqni kufizimet në përdorimin e armëve tuaja me rreze të gjatë, mos lejoni që Kievi të godasë thellë në territorin rus me këto raketa.
Në shtator, presidenti Putin paralajmëroi se nëse kjo do të lejohej të ndodhte, Moska do ta konsideronte atë si "pjesëmarrje të drejtpërdrejtë" të vendeve të NATO-s në luftën e Ukrainës.
"Kjo do të thotë se vendet e NATO-s... po luftojnë me Rusinë”, ka deklaruar Putini.
Muajin pasues, udhëheqësi i Kremlinit njoftoi ndryshimet në doktrinën bërthamore ruse, dokumenti që përcakton parakushtet nën të cilat Moska mund të vendosë të përdorë një armë bërthamore.
Kjo u interpretua gjerësisht si një tjetër paralajmërim për Amerikën dhe Evropën për të mos lejuar Ukrainën të godasë territorin rus me raketa me rreze të gjatë.