Në Francë numër rekord qytetarësh janë vaksinuar brenda dy javësh, që kur presidenti Emmanuel Macron ka shpalosur synimin për ta kufizuar qasjen e shërbimeve nëpër bare dhe restorante vetëm për personat që janë plotësisht të vaksinuar, të pajisur me testet negative PCR apo me dëshminë që janë shëruar nga sëmundja. Me gjithë protestat e fundjavës kundër të ashtuquajturave pasaporta të COVID-it, ligji për lejet speciale është miratuar të hënën, pas 60 orësh debat dhe një ujdie të minutës së fundit mes Kuvendit dhe Senatit
Përherë e më shumë qeveri evropiane synojnë që t’ua pamundësojnë personave të pavaksinuar kundër COVID-19 hyrjen nëpër bare dhe restorante gjatë verës, teksa presidenti Emmanuel Macron ka lartësuar të hënën jetësimin e politikave të tij kundër pandemisë në Francë.
Shteti francez ka kaluar të hënën pragun prej 40 milionë të imunizuarve me të paktën njërën prej dy dozave të vaksinave – shifër kjo e përafërt me 60- përqindëshin e gjithë popullatës.
“Së bashku do ta mposhtim këtë virus. Vazhdojmë!”, ka shkruar Macron në Twitter.
Një gamë e gjerë politikash janë duke u zbatuar kudo nëpër Evropë, teksa Qeveritë janë vënë në kërkim të iniciativave që do t’i shtyjnë qytetarët të vaksinohen. Në Suedi, një studim i ndërmarrë nga Universiteti i Lundit do të ekzaminojë nëse oferta për ndarjen e kuponëve prej 17 funtesh do t’i bindë qytetarët për imunizim. Në Holandë, porcione peshku të freskët janë duke u shpërndarë nëpër qendra të vaksinimit, si shtysë.
Por rezultatet më mbresëlënëse deri më tani kanë pasuar shtysën qeveritare në Francë, ku një numër rekord qytetarësh janë vaksinuar brenda dy javësh, që kur Macron ka shpalosur synimin për ta kufizuar qasjen e shërbimeve nëpër bare dhe restorante vetëm për personat që janë plotësisht të vaksinuar, të pajisur me testet negative PCR apo me dëshminë që janë shëruar nga sëmundja. Rreth 161.000 persona kanë protestuar gjatë fundjavës teksa ligjvënësit në Paris janë përpjekur që të arrijnë një marrëveshje kompromisi për të ashtuquajturat pasaporta të COVID-it. Por ligji është miratuar herët të hënën, pas 60 orësh debat dhe një ujdie të minutës së fundit mes Kuvendit dhe Senatit.
Ligji i ri parasheh që pasaportat e tilla të kërkohen për vajtjet në restorante, bare, muze, kinema dhe në tubimet masive publike qysh nga gushti, por jo edhe në qendra tregtare. Kjo, pasi që Qeveria është bindur që ta eliminojë këtë aspekt nga ligji. Pasaporta e vaksinimit nuk do t’u kërkohet 12 deri 17-vjeçarëve deri në fund të muajit shtator. Një tjetër aspekt i ligjit e bën të domosdoshëm vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, si dhe të stafit të restoranteve dhe bareve në Francë, të cilët po qe se e refuzojnë imunizimin do të humbin vendet e punës.
Të hënën, Irlanda ka lejuar rihapjen e gastronomisë për shërbimet në ambientet e mbyllura vetëm për poseduesit e certifikatave digjitale të Bashkimit Evropian që e dëshmojnë statusin e vaksinimi. Që nga 6 gushti, pasaportat e ngjashme të gjelbra do të kërkohen edhe në Itali për qasje në gastronomi, pishina publike, palestra sportive, ngjarje sportive, koncerte, panaire dhe organizime kulturore.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të hënën se synon që nga shtatori ta kufizojë qasjen nëpër klubet e natës vetëm për personat që mund ta dëshmojnë imunizimin. Ndërkaq në Gjermani, politikanët janë përfshirë në një debat të nxehtë për përshpejtimin e vaksinimit, teksa më pak se gjysma e qytetarëve (49 për qind) janë vaksinuar me dy dozat dhe 61 për qind me nga një dozë.
Gjatë fundjavës, Helge Braun, shef i stafit të kancelares Angela Merkel, ka sugjeruar se të pavaksinuarit nuk duhet që të penalizohen drejtpërsëdrejti, porse duhet të përjashtohen nga avantazhet. Në deklarimin për të përditshmen “Bild am Sonntag” ai ka thënë se të pavaksinuarit duhet të detyrohen që t’i reduktojnë kontaktet dhe se qasja e tyre në restorante, kinema dhe në stadiume duhen kufizuar shkaku i rrezikut të lartë. \ Guardian