Botë

Vendet baltike i ndërpresin këtë fundjavë lidhjet energjetike me Rusinë

Rrjeti energjetik

Foto: Associated Press

Më shumë se tri dekada pas largimit nga Bashkimi Sovjetik, vendet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania këtë fundjavë do t’i japin fund lidhjeve të rrjetit elektrik me Rusinë dhe Bjellorusinë fqinje, dhe do t’u drejtohen aleatëve të tyre të Bashkimit Evropian.

Ndërprerja e lidhjeve me energjinë elektrike me Rusinë e cila është e pasur me naftë dhe gaz, është përshpejtuar pasi presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën tre vjet më parë, duke dëmtuar marrëdhëniet e Moskës me BE-në, raporton AP.

“Kjo është shkëputje fizike nga elementi i fundit i mbetur i mbështetjes sonë në sistemin energjetik rus dhe bjellorus”, ka thënë presidenti lituanez, Gitanas Nauseda për Associated Press.

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen dhe personalitete të tjera do të priten në një ceremoni të dielën, teksa një orë e krijuar posaçërisht 9 metra e gjatë në qendër të qytetit të Vilnius numëron sekondat e fundit të lidhjeve të energjisë elektrike të shteteve baltike me Rusinë.

Vendet baltike, të cilat janë të gjitha anëtare të NATO-s, kanë pasur lidhje të ftohta me Rusinë që nga shpallja e pavarësisë nga BRSS-ja në vitin 1990, dhe marrëdhëniet u përkeqësuan më tej pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Gjashtëmbëdhjetë linja energjetike që lidhnin tri shtetet baltike me Rusinë dhe Bjellorusinë u çmontuan gjatë viteve pasi u krijua një rrjet i ri që i lidh ato me pjesën tjetër të BE-së, duke përfshirë kabllot nënujore në Detin Baltik.

Të shtunën, të gjitha linjat e mbetura të transmetimit midis tyre dhe Rusisë, Bjellorusisë dhe Kaliningradit të Rusisë, një enklavë ruse e ndodhur midis anëtarëve të BE-së, Polonisë dhe Lituanisë dhe detit, do të fiken një nga një.

Më pas, për 24 orë, Sistemi i Energjisë Baltike do të funksionojë i vetëm në një "modalitet funksionimi në ishull". 

Të nesërmen, sistemi energjetik do të bashkohet me rrjetet evropiane kontinentale dhe nordike përmes disa lidhjeve me Finlandën, Suedinë dhe Poloninë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se plani i shkyçjes ishte njoftuar paraprakisht nga vendet baltike dhe se sektori energjetik rus kishte ndërmarrë hapa përgatitor për të siguruar funksionimin e qetë nga ana e tij.