Kryengritja e zgjatur e Sirisë e shndërruar në konflikt civil ka hyrë në vitin e saj të 13-të e një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 7.8 ballësh goditi zona të mëdha të Sirisë në shkurt, duke shtuar më tej mjerimin e saj. Banka Botërore vlerësoi mbi 5 miliardë dollarë dëme, pasi tërmeti shkatërroi shtëpi dhe spitale dhe gjymtoi më tej infrastrukturën e dobët të energjisë dhe ujit të Sirisë. E gjendja e refugjatëve sirianë sa vjen e përkeqësohet. Fati i tyre mbetet në duar të donatorëve
(AP) - Gjashtë muaj pasi mori telefonatën me informatën se ndihma e saj në OKB do të ndërpritet, Najwa al-Jassem po ka vështirësi të ushqejë katër fëmijët e saj dhe të paguajë qiranë për tendën e tyre në një kamp refugjatësh sirianë në Libanin lindor.
Ajo dikur merrte racione ushqimore dhe para që mbulonin pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre modeste mujore. Familja tani merr vetëm ekuivalentin e 20 dollarëve në muaj, që mbulon vetëm qiranë për tendën e tyre të vogël.
Burri i saj siguron vetëm punë të herëpashershme ditore dhe “fëmijët e mi janë shumë të vegjël që unë t'i dërgoj të punojnë në ara”, tha ajo për Associated Press në kampin pranë qytetit të Bar Elias. "Ne po hamë një vakt në ditë".
Agjencitë e ndihmës do të mundohen të tërheqin vëmendjen e botës për gjendjen e vështirë të sirianëve si Al-Jassemi të mërkurën në një konferencë vjetore donatorësh të organizuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel për ndihmë humanitare në përgjigje të krizës siriane.
Kriza e financimit
Financimi nga konferenca dyditore do të shkojë gjithashtu për ofrimin e ndihmës për sirianët brenda vendit të shkatërruar nga lufta dhe për rreth 5.7 milionë refugjatë sirianë që jetojnë në vendet fqinje, veçanërisht në Turqi, Liban dhe Jordani.
Këtë vit organizatorët synojnë të mbledhin rreth 11.2 miliardë dollarë, megjithëse zyrtarët humanitarë pranuan se zotimet ka të ngjarë të dështojnë.
Të martën, një ditë para konferencës, Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se është përballur me një "krizë të pashembullt financimi" dhe do të tkurrte ndihmën për vetëm 2.5 milionë nga 5.5 milionë njerëz në Siri që kishin marrë ndihmë ushqimore.
Konferenca vjen pasi kryengritja e zgjatur e Sirisë e shndërruar në konflikt civil ka hyrë në vitin e saj të 13-të dhe pasi një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 7.8 ballësh goditi zona të mëdha të Sirisë në shkurt, duke e shtuar më tej mjerimin e saj. Banka Botërore vlerësoi mbi 5 miliardë dollarë dëme, pasi tërmeti shkatërroi shtëpi dhe spitale dhe gjymtoi më tej infrastrukturën e dobët të energjisë dhe ujit të Sirisë.
Konferenca gjithashtu vjen në një kohë të pasigurt politikisht për refugjatët që jetojnë në vendet fqinje. Presidenti sirian, Bashar Assad, së fundmi siguroi një litar shpëtimi të madh politik me kthimin e Damaskut në Ligën Arabe, dhe fqinjët e Sirisë, në këmbim, kanë bërë thirrje për një riatdhesim masiv të refugjatëve.

Faji për krizën u mbetet refugjatëve
Retorika kundër refugjatëve është rritur në Libanin dhe Turqinë fqinje, teksa të dyja po përballen me krizat ekonomike dhe politike.
Në Liban, ku zyrtarët u kanë vënë fajin për krizën ekonomike të vendit 1.5 milionë refugjatëve, autoritetet kanë vendosur shtetrrethim për refugjatët dhe kanë kufizuar mundësinë e tyre për të marrë shtëpi me qira. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se ushtria libaneze ka deportuar qindra refugjatë sirianë muajt e fundit.
Në Turqi, ku sirianët dikur u mirëpritën me empati, riatdhesimi i rreth 3.7 milionë refugjatëve u bë temë kryesore në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të muajit të kaluar, të cilat përfunduan me një mandat të ri për presidentin aktual, Recep Tayyip Erdogan.
Qeveria e Erdoganit e mbrojti për vite me radhë politikën e saj të dyerve të hapura, por vitet e fundit ka zhvilluar zona banimi në Sirinë veriperëndimore, të kontrolluara nga grupet opozitare siriane të mbështetura nga Ankaraja, me qëllimin e deklaruar për të inkurajuar kthimin e refugjatëve. Ankaraja dhe Damasku gjithashtu kanë zhvilluar bisedime në Moskë për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara.
Qeveria gjithashtu ka kryer deportime sporadike të dhunshme, ndërsa kundërshtarët e Erdoganit mbajtën një qëndrim më të ashpër, duke u zotuar se do t'i dëbojnë refugjatët në masë.
Derisa disa refugjatë sirianë janë kthyer vullnetarisht nga Turqia dhe Libani, shumica thonë se situata është shumë e paqëndrueshme.
Vuajtja e njerëzve
Në kampin në Liban, Fteim Al-Janoudi u përpoq të mbante lotët e saj ndërsa fliste se si ajo dhe burri i saj mund të përballojnë shkollimin vetëm për një nga gjashtë fëmijët e saj. Por refugjatja nga provinca veriore e Aleppos së Sirisë tha se situata atje është edhe më e keqe, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë materiale.
“Nëse kushtet do të ishin të mira dhe nëse shtëpitë tona do të rregulloheshin në mënyrë që të mund të jetonim të qetë dhe rehat, nuk do ta kishim problem të ktheheshim në Siri, madje edhe me Assadin ende atje”, tha ajo.
Pavarësisht nga përkeqësimi i situatës për sirianët, ndihma është zvogëluar në vitet e fundit, pasi donatorët filluan të mbështesnin mbi 5 milionë refugjatët ukrainas dhe mbi 7 milionë të tjerët të zhvendosur brenda vendit në shtetin evropian të goditur nga konflikti. Lufta në Ukrainë, një shportë globale e bukës, shkaktoi gjithashtu një rritje të inflacionit të ushqimit pas pandemisë COVID-19 që tronditi ekonominë globale për vite me radhë.
“Ne shohim që nevojat po rriten dhe se financimi i donatorëve po zvogëlohet gradualisht”, tha Ivo Freijsen, përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatët në Liban, ku rreth 90% e refugjatëve jetojnë në varfëri ekstreme dhe varen nga ndihma.
“Nga pikëpamja humanitare, kjo do të thotë se më shumë njerëz do të vuajnë”, tha ai. "Ne duhet të kërkojmë që nivelet e financimit të qëndrojnë në të njëjtin nivel dhe në fakt të rriten".

Fëmijëria në kamp
Në konferencën e vitit të kaluar në Bruksel, donatorët premtuan 6.7 miliardë dollarë, miliarda më pak se apeli i OKB-së prej 10.5 miliardë dollarësh, të ndara pothuajse në mënyrë të barabartë për të ndihmuar sirianët brenda vendit të shkatërruar nga lufta dhe refugjatët. Mungesa e fondeve i detyroi spitalet në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita të ulin numrin e shërbimeve, ndërsa Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së zvogëloi madhësinë e racioneve të tij mujore për më shumë se 1 milion njerëz, që u shërben në atë zonë.
"Ne e dimë se Ukraina është dëmtuar shumë", tha koordinatori humanitar i OKB-së në Liban, Imran Riza. “Ne e dimë se Sudani tani është bërë gjithashtu një prioritet. Është një kohë e vështirë dhe është një kohë që po ndjek gjithashtu COVID-in dhe çdo gjë tjetër që ndodhi e që goditi kaq shumë ekonomitë në të gjithë globin”.
Duke pasur parasysh këto vështirësi, ai tha se donatorët ndërkombëtarë duhet të "lëvizin drejt ndërhyrjeve shumë më të qëndrueshme", në vend që të mbeten në gjendje krize.
Në kampin në Luginën Bekaa, Al-Jassemi thotë se ka vështirësi për të përballuar borxhet në rritje që ajo dhe burri i saj kanë për të mbuluar qiranë e papaguar dhe shpenzimet mjekësore.
Por ajo është më e shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve të saj, të cilët kanë jetuar gjithë jetën në një kamp refugjatësh në kushte që vetëm sa vijnë e përkeqësohen.
"Fëmijët ndonjëherë shkojnë në shkollë pa ngrënë mëngjes", shpjegoi ajo. “Ndonjëherë mësuesi i tyre më thërret e më pyet se pse ata nuk kanë ndonjë sandviç me vete, dhe unë i them se nuk kam asgjë në qilar”.
Përktheu: Forca Jashari