Botë

Prokuroria rumune del me deklaratë për largimin e vëllezërve Tate nga shteti

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Foto: Associated Press

Përditësuar (10:50) - Shërbimi i prokurorit special rumun, DIICOT, i cili është agjencia hetuese në rastin “Tate”, ka lëshuar një deklaratë për largimin e vëllezërve Tate mëngjesin e së enjtes nga Rumania.

Deklarata e DIICOT bën të qartë se Tates janë ende nën hetim në Rumani dhe çështja kundër tyre nuk është pushuar, raporton BBC.

Ajo që ka ndryshuar është se kërkesa e tyre që të mund të largohen nga Rumania është pranuar.

Kërkesa e tyre për heqjen e akuzave është refuzuar. Ata pritet të kthehen në Rumani në një datë të mëvonshme për të përmbushur kushtet e statusit të tyre të vazhdueshëm "nën kontrollin gjyqësor".

“Për dy të pandehur, individë me shtetësi të dyfishtë, amerikanë dhe britanikë, të cilët janë nën kontrollin gjyqësor në çështjet penale që po hetohen nga DIICOT – Struktura Qendrore, bëjmë sqarimin e mëposhtëm: kërkesa për revokimin e masës parandaluese të kontrollit gjyqësor është refuzuar dhe mbetet në fuqi për të dyja rastet ku ndjekja penale është në proces”, thotë prokuroria.


Vëllezërit Tate largohen nga Rumania pavarësisht se u ishte ndaluar udhëtimi

Influencuesi i diskutueshëm i mediave sociale Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan janë larguar nga Rumania, kanë thënë burimet për BBC

Dyshja besohet se janë nisur me avion privat pak pas orës 05:00 me orën lokale, të së enjtes.
Vëllezërit janë arrestuar në Rumani tri vjet më parë dhe përballen me akuzat për përdhunim, trafikim të të miturve dhe pastrim parash, të cilat ata i mohojnë të gjitha.

Atyre u ishte ndaluar të largoheshin nga vendi, por duket se këto kufizime të udhëtimit janë hequr.

Kryeministri rumun kishte mohuar më parë të ishte nën presion nga qeveria amerikane për të lejuar vëllezërit, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë Mbretëri e Bashkuar-SHBA, të udhëtojnë.

Vëllezërit Tate kanë mbështetje të gjerë në mediat sociale të krahut të djathtë dhe kanë mbështetur Trumpin gjatë fushatës zgjedhore në SHBA. 

Andrew Tate është një mizogjen i vetë-përshkruar.