Botë

Vëllezërit Tate akuzohen për evazion fiskal

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Foto: Associated Press

Personaliteti i diskutueshëm i mediave sociale, Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan po akuzohen se nuk kanë paguar asnjë taksë për mbi 21 milionë funte të ardhura nga bizneset e tyre në internet.

Policia e Devon dhe Cornwall po ngre një padi civile kundër vëllezërve dhe një personi të tretë, të referuar vetëm si J., raporton BBC.

Ata akuzohen se nuk kanë paguar asnjë taksë në asnjë vend për të ardhurat e tyre nga biznesi në internet midis viteve 2014 dhe 2022.

Policia po kërkon të rikuperojë rreth 2.8 milion funte në shtatë llogari bankare të ngrira, një aplikim që tre të pandehurit po e kundërshtojnë.

"Andrew Tate dhe Tristan Tate janë shmangës serik të taksave dhe TVSH-së”, ka thënë të hënën, zëdhënësja e policisë Sarah Clarke.

Clarke citoi një video të postuar në internet nga Andrew Tate, në të cilën ai dëgjohet duke thënë se “Kur jetoja në Angli, refuzoja të paguaja taksa".

Andrew Tate është një mizogjen i vetë-përshkruar dhe më parë ishte ndaluar nga platformat e mediave sociale për shprehjen e pikëpamjeve mizogjene.

Në një rast të veçantë në Rumani, vëllezërit Tate, ish-kikboksierë të cilët janë shtetas të dyfishtë Mbretëri e Bashkuar - SHBA, akuzohen për shfrytëzimin e grave nëpërmjet një biznesi të përmbajtjes për të rritur, të cilin prokurorët pretendojnë se vepronte si një grup kriminal.

Dy bashkëpunëtore rumune u përmendën gjithashtu së bashku me vëllezërit në një padi në qershor të vitit të kaluar dhe u identifikuan shtatë viktima të supozuara.

Andrew Tate ka pohuar vazhdimisht se prokurorët rumunë nuk kanë prova kundër tij dhe se ka një komplot për t'i mbyllur gojën.