Botë

Vdiq njëri nga fëmijët që u plagos prej bashkëmoshatarit në Finlandë

Shkolla - Finlandë

E përditësuar - Ka vdekur njëri nga tre fëmijët e plagosur në shkollën në Finlandë, raporton Reuters.

Sipas raportimit paraprak, tre 12-vjeçarë janë plagosur nga një bashkëmoshatar i tyre, që është arrestuar.


Një fëmijë 12-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se i ka plagosur tre moshatarë të tjerë të tij në një shkollë në Finlandë të martën, raporton Reuters.

Tre 12-vjeçarët e plagosur janë dërguar në spital. Arrestimi i të dyshuarit të mitur ka ndodhur në mënyrë të qetë dhe tani fëmija gjendet në paraburgim. Nuk janë bërë të ditura menjëherë detajet rreth identitetit të fëmijëve apo gjendjes së të plagosurve.

Të shtënat kanë ndodhur në shkollën Viertola në Vantaa, në periferi të kryeqytetit Helsinki, e cila ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën dhe një personel prej 90 anëtarësh, sipas bashkisë lokale.

Kryeministri i vendit, Petteri Orpo ka thënë se të shtënat ishin thellësisht tronditëse.

Të shtënat e mëparshme në shkollat në Finlandë kanë kthyer vëmendjen kah politika ndaj armëve në vend.

Në vitin 2007, Pekka-Eric Auvinen qëlloi dhe vrau gjashtë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten duke përdorur një pistoletë në shkollën e mesme Jokela, afër Helsinkit. Një vit më vonë, në vitin 2008, Matti Saari, një tjetër i ri, vrau nëntë nxënës dhe një anëtar të personelit të shkollës përpara se ta vriste veten.

Finlanda e ka forcuar legjislacionin për armët në vitin 2010, duke prezantuar një test aftësie për të gjithë aplikuesit për licencë për armë zjarri. Kufiri i moshës për aplikuesit u ndryshua gjithashtu nga 20 nga 18. Ka më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara në Finlandë, me rreth 430 mijë mbajtës të armëve në vendin prej 5.6 milionë banorësh.