Botë

Vdiq ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter

Jimmy Carter

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka vdekur të dielën në moshën 100-vjeçare.

Politikani demokrat ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 1977-a deri në 1981-n, në një periudhë kur SHBA-ja përballej me kriza ekonomike dhe diplomatike

Ai është laureat edhe i çmimit Nobel për Paqen. Carter ishte presidenti i 39-të i SHBA-së.

Çmimi Nobel i ishte ndarë për “dekadat në përpjekjet e palodhura për të gjetur zgjidhje paqësore në konfliktet ndërkombëtare, për të avancuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe social”.

“Babai im është një hero. Jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që besojnë në paqen, të drejtat e njeriut dhe në dashurinë altruiste. Bota është familja jonë për shkak të mënyrës se si ai bashkoi njerëzit dhe ne ju falënderojmë që nderuat kujtimin e tij”, ka deklaruar djali i tij, Chip Carter.

Carter ka lënë pas vetes katër fëmijë, 11 nipër e mbesa dhe 14 stërnipër.

Bashkëshortja e tij, Rosalynn, ka vdekur në nëntorin e 2023-s.