Botë

Vdiq 15-vjeçari në Francë që u rrah nga disa persona jashtë shkollës

Sulmi në shkolla

Sulmi në shkolla/Ilustrim

Foto: Associated Press

Një 15-vjeçar ka vdekur pasi ishte rrahur rëndë në jug të Parisit, duke shënuar incidentin e fundit të dhunës në shkollat franceze.

Sulmi i të enjtes vjen në një kohë të tensioneve të rritura në shkollat e Francës. Në fillim të kësaj jave, një vajzë adoleshente kishte mbetur në koma, pasi ishte rrahur jashtë shkollës së saj në Montpellier, në jug të shtetit. Në këtë rast, tre sulmuesit e dyshuar janë arrestuar, raporton The Guardian.

Në incidentin e fundit, që ka ndodhur në qytetin Viry-Châtillon, rreth 20 km në jug të Parisit, adoleshenti ishte sulmuar nga disa njerëz, pasi ishte larguar nga shkolla, pasditen e së enjtes.

Zyra e prokurorit publik ka njoftuar të premten pasdite për vdekjen e adoleshentit, derisa një hetim është hapur për sulm dhe vrasje jashtë shkollës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili po vizitonte një shkollë fillore në Paris të premten në mëngjes ka thënë se shkollat duhet të mbrohen nga dhuna në rritje.

“Kemi një formë dhune të pafrenuar midis adoleshentëve tanë dhe ndonjëherë midis atyre gjithnjë e më të rinj. Shkollat ​​duhet të mbrohen nga kjo. Shkolla duhet të mbetet një vend i shenjtë për fëmijët tanë, për familjet e tyre, për mësuesit tanë”, ka deklaruar Macron.