Pas më shumë se 222 orësh nën rrënoja, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një grua në epiqendrën e tërmetit në Turqi, Kahramanmarash. Ndërkaq shifra e të vdekurve ka tejkaluar numrin e 40 mijë personave, por ekspertët janë shprehur të bindur se numri do të vazhdojë të ngrihet
Një 42-vjeçare është shpëtuar e gjallë pas 222 orësh nën rrënojat e ndërtesës që ishte shembur në epiqendrën e tërmetit të fuqishëm në Kahramanmaras.
Ekipet e shpëtimit kanë vërejtur për shenja jete nën rrënoja dhe kanë shpëtuar Melike Imamoglun.
Më shumë se 40 mijë persona kanë vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri, por ekspertët janë shprehur të bindur se numri i të vdekurve do të vazhdojë të ngrihet.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se tërmeti ishte katastrofa më vdekjeprurëse e shekullit në Turqi.
Shumë të mbijetuar kanë mbetur pa shtëpi dhe mezi kanë gjetur strehim në të ftohtin e madh.
Shumë ekspertë kanë fajësuar ndërtimin e dobët për dëmet e mëdha që ka shkaktuar tërmeti.
Ndërkaq, nga stërngarkimi i spitaleve me më shumë se 13 mijë të lënduar nga tërmeti, ushtria ka vënë në shfrytëzim luftanijen që tani po shërben si spital për të lënduarit e qytetit Iskanderun.
“Fëmijët kanë qenë me grip. Nuk mund të kujdeseshim për shkak të tërmetit dhe dëgjuam për këtë spital”, ka thënë Yesim Cinar, banore e Hatayt.
Spitali në anije ka kapacitet prej 300 shtretërish dhe deri më tani janë trajtuar më shumë se 2 mijë të lënduar nga tërmeti.
“Nuk ka spital të lirë në lagjen tonë. Më i afërti është në Hatay, por është mbushur me të lënduar nga tërmeti. Për këtë arsye nuk mund të ndihmojnë njerëzit e tjerë si unë. Në vend të atij spitali, preferuam këtë spital”, ka thënë Berat Cetiner, banor i Hatayt.
Ndërkaq, Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se nga tërmeti janë prekur më shumë se 7 milionë fëmijë. Sipas OKB-së, në Turqi nga tërmeti janë prekur 4.6 milionë fëmijë, ndërsa në Siri 2 milionë e gjysmë.