Botë

Vazhdojnë protestat në Serbi, studentët nisin marshimin 4-ditor drejt Kragujevcit

Serbi - Protesta

Foto: AP

Qindra studentë nga qytete të ndryshme anembanë Serbisë u nisën në një marshim katërditor të martën drejt qytetit qendror të Kragujevcit, ku është planifikuar një protestë masive për të shtunën.

Studentët nga Nishi dhe Beogradi filluan udhëtimin e tyre në këmbë si pjesë e një fushate protestash të udhëhequra nga studentët pas fatkeqësisë së 1 nëntorit në një stacion treni në Novi Sad, ku pas shembjes së një çatie vdiqën 15 persona, për të cilën kritikët kanë fajësuar korrupsionin e qeverisë, raporton AP. 

“Ky është një hap i vogël për studentët, por një hap i madh për Serbinë”,  ka thënë një  student nga Nishi.

Protestat kundër korrupsionit po kthehen në një kryengritje mbarëkombëtare kundër qeverisë populiste të presidentit, Aleksandar Vuçiq. Ai ka akuzuar protestuesit se punojnë për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe është zotuar të mposht atë, duke thënë se ka për qëllim ta rrëzojë atë nga pushteti.

Lëvizja e udhëhequr nga studentët ka detyruar tashmë dorëheqjen e kryeministrit Milos Vuçeviq, aleatit të Vuçiqit. 

Një tubim masiv është planifikuar më 15 shkurt, që është festa kombëtare e shtetësisë në Serbi. Vuçiq planifikon të mbajë një tubim në Novi Sad në të njëjtën datë.