Qindra policë në Normandi po e kërkojnë të burgosurin që u arratis, pasi furgoni që po e transportonte për në burg u sulmua të martën. Rasti tronditi Francën.
Mohamed Amra po transportohej në burg nga një seancë gjyqësore në Rouen, kur një veturë u përplas në furgonin e burgut.
Persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të furgonit, duke vrarë dy gardianë të burgut.
“Gjitha mjetet po përdoren për t’i gjetur këta kriminelë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, raporton “BBC”.
Rreth 200 policë janë mobilizuar të martën dhe po bëhen kontrolle të veturave në pika kyçe.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se “po bëhet çdo gjë për t’i gjetur fajtorët”.
Prokurorja e shtetit Laure Beccuau i ka thënë gazetarëve se sulmi ndodhi pak para orës 11:00 me kohë lokale. Tha se kur furgoni po kalonte në Incarville në veri të Francës, një “Peugeot e goditi para furgonin për ta ndaluar”.
“Burra me armë të gjata dolën jashtë, të cilëve iu bashkua edhe burra tjerë të armatosur që dolën na një veturë Audi. Ata me shumë gjasë po e ndjeknin furgonin e burgut”.
Ajo tha se personat e armatosur kanë shtënë disa herë në drejtim të dy veturave, duke vrarë dy gardianë, para se të largoheshin nga skena dhe të merrnin të burgosurin Amra me vete.
Prokurorja ka thënë se dy veturat, që besohet se u përdorën nga kriminelët, u gjetën të djegura në lokacione të ndryshme më vonë të martën.
Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, i ka thënë se një nga gardianët që u vra “ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë”.
E për të dytin ka thënë se ishte 34-vjeçar, dhe ka lënë pas bashkëshorten që është shtatzënë në muajin e pestë. Tre policë tjerë u lënduan në sulmin.
Amra ishte dënuar më 10 maj për vjedhje dhe nga prokurorët në Marseille është ngritur aktakuzë ndaj tij për kidnapim që ka çuar në vdekje.
Avokati i tij, Hugues Vigier, ka thënë për televizionin francez “BFMTV” se “beson se Amra nuk e dinte për planin për ta liruar”.
“Për mua ky plan nuk përputhet me atë që di për të. Nëse ai qëndron prapa kësaj, atëherë kam dështuar ta kuptoj se kush është ai”, tha Vigier.
Sipas disa raportimeve të mediave, Amra kishte tentuar të ikte nga burgu më herët këtë javë, duke tentuar të priste grilat.
Prokurorja Beccuau ka thënë se Amra kishte 13 dënime, të parën e kishte marrë në tetor të vitit 2009 kur ishte 15-vjeçar.
Amra thuhet se ka lidhje me një bandë në Marseille, qytet që është prekur nga dhuna e ndërlidhur me bandat e drogës.
LEXO EDHE: