Botë

Vazhdojnë kërkimet për dy ushtarët amerikanë të zhdukur në Gjirin Aden

Dy marinsë amerikanë të njësitit SEAL janë zhdukur në Gjirin Aden, ndërsa anijet dhe avionët amerikanë janë duke kërkuar për ta, ka njoftuar një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së të hënën, raporton agjencia “AP”.

Janë bërë të ditura detajet lidhur me misionin e të enjtes për të marrë nën kontroll një anije që po mbante komponentë të raketave iraniane me rreze të mesme veprimi. Anija ishte nisur për në Somali.

Zyrtari amerikan tha se ekuipazhi në anije, që nuk mbante një flamur të ndonjë shteti, po planifikonte të transportonte pjesë të raketave në një varkë tjetër në brigjet e Somalisë.

Marina amerikane e njohu varkën si një me histori të transportimit ilegal të armëve të paligjshme nga Irani në Somali, tha zyrtari. Ai foli në kushte anonimiteti.

Ushtarët ishin në anijen USS Le]is P. Puller dhe udhëtuan me anije luftarake të vogla për të arritur deri te varka. Ndërsa po kalonin nëpër det të trazuar, një ushtar u rrëzua nga dallgët e mëdha dhe një shok i skuadrës së tij u fut për ta nxjerrë atë. Të dy rezultojnë të zhdukur.

Varka që po transportonte armë ilegalë është ndaluar, dhe anëtarët janë paraburgosur. Armët u konfiskuan dhe varka u fundos.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ujërat në Gjirin Aden janë të ngrohtë dhe se ushtarët janë të stërvitur për emergjenca të tilla. Të hënën ka vazhduar kërkimi i dy ushtarëve me anë të anijeve, helikopterëve e dronëve.