Papa Françesku ka vdekur nga sulmi në tru, ka njoftuar Vatikani të hënën, transmetoi BBC-ja.
Në njoftim u tha gjithashtu se 88-vjeçarit i ndaloi së funksionuari edhe zemra.
Çka është sulmi në tru?
Sipas mjekësisë, sulmi në tru nënkupton kur truri papritmas nuk merr më gjak dhe oksigjen të mjaftueshëm, gjë që çon në dëmtimin e qelizave të trurit. Ky sulm di të jetë vdekjeprurës në rast se nuk trajtohet me urgjencë.
Qindra njerëz janë mbledhur në sheshin Shën Pjetri në Vatikan ku po luten për Papa Françeskun. Në mbarë botën janë mbajtur mesha për nder të tij.
Edhe në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë janë ndezur qirinj për nder të tij.
“Pas meshës së shenjtë për shpirtin e Papës Françeskut, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, para Katedrales u ndezën qirinj për shpirtin e tij. Papa Françesku, pushoftë në paqe!”, thuhet në njoftim.
Vatikani konfirmoi se në testamentin e fundit, Papa Françesku kishte kërkuar që të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe pa dekorime të veçanta.
Ai gjithashtu kishte kërkuar që vendi i tij i prehjes të kishte mbishkrimin e emrit të tij në latinisht “Franciscus”.
Letra e plotë e testamentit:
Në emër të Shën Trinisë më të Shenjtë. Amen.
Ndërsa ndiej afërsinë e perëndimit të jetës time tokësore, dhe me shpresë të fortë në jetën e përjetshme, dëshiroj t’i shpreh dëshirat e mia të fundit, vetëm sa i përket vendvarrimit tim.
Gjatë tërë jetës sime dhe gjatë shërbesës sime si prift dhe ipeshkëv, kam besuar gjithmonë në Nënën e Zotit, Shën Mërinë e Bekuar. Për këtë arsye, kërkoj që mbetjet e mia trupore të prehen - duke pritur Ditën e Ringjalljes - në Bazilikën Papnore të Shën Mërisë së Madhe.
Dëshiroj që udhëtimi im i fundit tokësor të përfundojë pikërisht në këtë shenjtore të lashtë mariane, ku gjithmonë kam shkuar për të lutur në fillim dhe në fund të çdo Udhëtimi Apostolik, duke ia besuar me besim qëllimet e mia Nënës së Pashoqe, dhe duke i dhënë falënderime për kujdesin e saj të butë dhe matern.
Kërkoj që varri im të përgatitet në hapësirën e varrimit në krahun anësor mes Kishës Pauline (Kapelës së Salus Populi Romani) dhe Kapelës së Sforzës të Bazilikës, ashtu siç tregohet në planin e bashkangjitur.
Varrimi duhet të jetë në tokë; i thjeshtë, pa zbukurime të veçanta, dhe të mbajë vetëm mbishkrimin: ‘Franciscus’.
Kostoja e përgatitjes së varrit do të mbulohet nga një shumë e siguruar nga një donator, të cilën e kam rregulluar të transferohet në Bazilikën Papnore të Shën Mërisë së Madhe. Kam dhënë udhëzimet e nevojshme për këtë tek Kardinali Rolandas Makrickas, Komisioneri Jashtëzakonshëm i Bazilikës Libere.
Zoti u dhëntë një shpërblim të denjë të gjithë atyre që më donin dhe që vazhdojnë të lutën për mua. Dhimbja që ka shoqëruar pjesën e fundit të jetës sime, ia ofroj Zotit, për paqe në botë dhe për vëllazëri ndërmjet popujve.
29 qershor, 2022