Botë

Vance – nga krahasues i Trumpit me Hitlerin në të nominuar për zëvendëspresident

James David Vance

I nominuari i republikanëve për president të SHBA-së në zgjedhjet e 5 nëntorit, Donald Trump, ka emëruar të hënën senatorin e Ohios, J.D.Vance, kandidat për zëvendëspresident të tij. Ngritja e Vances deri në këtë pikë është diskutuar shumë në arenën ndërkombëtare, për shkak se ai dikur njihej si një kritikues i ashpër i ish-presidentit. Ishte zotuar publikisht se nuk do të ishte kurrë një “Trumper”, derisa privatisht e kishte krahasuar atë me Hitlerin.

Tetë vjet më parë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, J.D. Vance ishte një kritik i ashpër i Donald Trumpit.

Publikisht, ai e kishte quajtur kandidatin republikan për president "idiot". Privatisht, ai e kishte krahasuar atë me Adolf Hitlerin.

Por qëkur ish-presidenti Trump kishte vendosur ta shpallte Vancen si kandidat të tij për zëvendëspresident, që e bëri të hënën, shtetasit e Ohios janë bërë ndër mbrojtësit më të zjarrtë të Trumpit, duke qëndruar në krah të tij edhe kur republikanë të tjerë të profilit të lartë refuzuan ta bënin këtë.

Transformimi i James David Vance, nga i vetëpërshkruar "kurrë Trumper", në besnik të fortë, e bën atë një figurë relativisht të pazakontë në rrethin e brendshëm të Trumpit. 

Demokratët dhe madje disa republikanë kanë vënë në pikëpyetje nëse Vance, i cili është autori i kujtimeve më të shitura "Hillbilly Elegy" dhe tani është një senator amerikan nga Ohio, është i shtyrë më shumë nga oportunizmi sesa nga ideologjia.

Por Trumpi, i cili i mbijetoi një atentati në një tubim elektoral në Pensilvani të shtunën, dhe shumë nga këshilltarët e tij e shohin transformimin e tij si të vërtetë.

Ata theksojnë se bindjet politike të Vance, të cilat përziejnë izolacionizmin me populizmin ekonomik - përputhen me ato të Trumpit, dhe ato së bashku i vendosin të dy burrat në kundërshtim me gardën e vjetër të Partisë Republikane, ku “skifterët” e politikës së jashtme dhe “ungjilltarët” e tregut të lirë ende kanë ndikim.

Senatori republikan, John Barrasso nga Wyoming, të cilin Vance e ka përshkruar si mentor, i ka thënë Reuters se Vance i ndryshoi pikëpamjet e tij për Trumpin, sepse "ai pa sukseset që Trumpi si president i solli vendit".

Në veçanti, kundërshtimi i zëshëm i Vance ndaj ndihmës së SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë ka kënaqur aleatët më konservatorë të Trumpit, edhe pse ka mërzitur disa kolegë të Senatit.
“Ai e kupton se për çfarë po kandidon Trump dhe, ndryshe nga pjesa tjetër e Partisë Republikane në Uashington, ai pajtohet me të”, ka deklaruar për Reuters komentatori konservator, Tucker Carlson, një mbështetës i zëshëm i Vance.

Vance, 39 vjeç, lindi në një shtëpi të varfër në Ohaion jugore. Zgjedhja e tij mund të ndihmojë në rritjen e mirëbesimit të brezit të ndryshkur të fushatës së Trumpit, në një garë që do të përcaktohet nga votuesit në një pjesë të shteteve të fushëbetejës, duke përfshirë Pensilvaninë dhe Miçiganin aty pranë, megjithëse pikëpamjet e tij konservatore mund të jenë një pengesë për votuesit e moderuar.

"Për aq sa ai mund të bëjë, ai do të synojë të rikthejë të qenët zëri i ëndrrës amerikane”, ka thënë David Niven, një profesor i asociuar i politikës në Universitetin e Cincinnatit, i cili ka punuar si shkrues fjalimesh për dy demokratë guvernatorë, duke iu referuar rritjes së Vance nga varfëria në senator dhe tash në kandidat për zëvendëspresident amerikan.

Pasi shërbeu në Trupat e Marinës, duke ndjekur Fakultetin Juridik të Yale dhe duke punuar si një kapitalist sipërmarrës në San Francisko, Vance u ngrit në nivel kombëtar falë librit të tij të vitit 2016 "Hillbilly Elegy". Në ato kujtime, ai eksploroi problemet socio-ekonomike me të cilat përballej vendlindja e tij dhe u përpoq t'u shpjegonte lexuesve popullaritetin e Trumpit midis amerikanëve të bardhë të varfër.

Ai kritikoi ashpër Trumpin, publikisht dhe privatisht, në vitin 2016 dhe gjatë hapave të mandatit të tij 2017-2021.

"Kur e mendoj thellë, më duket se Trumpi është një budalla cinik si Nixoni, i cili nuk do të ishte aq i keq (dhe madje mund të jetë i dobishëm) ose se ai është Hitleri i Amerikës”, i kishte shkruar ai privatisht një bashkëpunëtori në Facebook në vitin 2016.

Kur komenti i tij për Hitlerin u raportua për herë të parë, në vitin 2022, një zëdhënës nuk e kundërshtoi atë, por tha se ai nuk përfaqësonte më pikëpamjet e Vance.

Në kohën kur Vance kandidoi për Senat në vitin 2022, demonstrimet e tij të besnikërisë, që përfshinin nënvlerësimin e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së nga mbështetësit e Trumpit, ishin të mjaftueshme për të fituar miratimin që e donte nga ish-presidenti. Mbështetja e Trumpit ndihmoi që ai të kalojë në krye në një garë primare.

Në intervistat për media, Vance ka thënë se nuk ka pasur ndonjë moment "Eureka" që ka ndryshuar pikëpamjet e tij për Trumpin. Përkundrazi, ai ka thënë se gradualisht e kuptoi se kundërshtimi i tij ndaj ish-presidentit ishte i rrënjosur në stil dhe jo në thelb.

Për shembull, ai u pajtua me pretendimet e Trumpit se tregtia e lirë kishte zbrazur Amerikën e mesme duke shtypur prodhimin vendas dhe ato se liderët e vendit ishin shumë të shpejtë për t'u përfshirë në luftëra të huaja.

“E lejova veten të fokusohesha aq shumë në elementin stilistik të Trumpit, saqë e injorova plotësisht mënyrën në të cilën ai në thelb po ofronte diçka shumë të ndryshme për politikën e jashtme, mbi tregtinë, mbi emigracionin”, ka deklaruar Vance për “New York Times” në qershor.

Në të njëjtën intervistë, Vance ka thënë se ishte takuar me Trumpin në vitin 2021 dhe se të dy u afruan më shumë gjatë fushatës së tij në Senat.

Vance nuk pranoi të intervistohej nga Reuters për këtë artikull dhe zëdhënësi i tij nuk pranoi të komentonte për të.

Kundërshtarët e senatorit të Ohios e shohin ndryshimin e pikëpamjeve të tij si një dredhi cinike për t'u ngjitur në radhët e politikës republikane.

"Ajo që shihni është një oportunizëm vërtet i thellë”, ka deklaruar Niven, profesori i politikës.

Një çështje ku pozicioni i tij duket se bie në të njëjtën pikë me atë të Trumpit është aborti.

Vance në një intervistë të vitit 2021 la të nënkuptohet se viktimave të përdhunimit dhe incestit duhet t'u kërkohet ta mbajnë shtatzëninë deri në fund, dhe në nëntor ai përshkroi një votim nga shtetasit e Ohios për të shtuar të drejtën për abortin në Kushtetutën e shtetit, si një "grusht në zorrë" (në Amerikë nënkupton si diçka që të trondit ose të shqetëson shumë).

Ndërkaq, këtë vit, ai ka thënë se mbështet qasjen në pilulën e abortit mifepristone, një pikëpamje që e ndan edhe Trumpi.

Marrëdhëniet me Trumpin

Përpara se Vance të krijonte një marrëdhënie me ish-presidentin, ai u afrua me djalin e madh të Trumpit, Donald Trump Jr, sipas disa njerëzve të afërt me marrëdhënien e tyre.

Vance së pari i ra në sy Trump Jr kur ai kundërshtoi ndihmën për Ukrainën gjatë zgjedhjeve paraprake të Senatit të Ohios në vitin 2022, sipas një prej njerëzve të afërt me ta, një pozicion që e vendosi atë në kundërshtim me republikanët e tjerë në garë.

Marrëdhënia personale e Vance me Trumpin u zhvillua gjatë zgjedhjeve presidenciale republikane në fillim të këtij viti, ka thënë njëri nga njerëzit e afërt. Vendimi i Vance për të miratuar Trumpin në janar 2023, shumë përpara disa kandidatëve të tjerë nënpresidentë, shërbeu si një demonstrim i rëndësishëm i besnikërisë, ka shtuar ai person.

Në shkurt të vitit 2023, Trumpi dhe Vance vizituan Palestinën Lindore, një fshat i vogël në Ohio, ku një tren kishte dalë nga shinat, një udhëtim që ngriti profilin kombëtar të Vance. Ata e portretizuan vendimin e presidentit demokrat Joe Biden në atë kohë për të mos vizituar komunitetin e klasës punëtore si një tradhti të Amerikës së mesme.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje në atë kohë se agjentët federalë ishin në vendngjarje pothuajse menjëherë pas daljes së trenit nga shinat dhe se vizita e një vendi të fatkeqësisë mund të shkëpusë vëmendjen nga përpjekjet lokale të rimëkëmbjes. Bideni përfundimisht vizitoi Palestinën Lindore afërsisht një vit më vonë, në shkurt të vitit 2024.

Në prapaskenë, Vance ka ndihmuar të bindë donatorët e pasur që t'i hapin kuletat e tyre për Trumpin, sipas dy personave me njohuri për operacionet e mbledhjes së fondeve të Trump. Vance, për shembull, ndihmoi në krijimin e një mbledhjeje fondesh në “Bay Area” në qershor, të organizuar nga kapitalistët e sipërmarrjes David Sacks dhe Chamath Palihapitiya, sipas njërit prej njerëzve të njohur me çështjet.

Jashtë fushatës, disa nga aleatët e profilit më të lartë të Trumpit, duke përfshirë Donald Trump Jr, Carlson dhe Steve Bannon, janë kënaqur nga qëndrimi i shkurtër i Vance në Capitol Hill. Të gjithë këta individë kanë legjione ndjekësish konservatorë dhe miratimi i tyre mund të ndihmojë që republikanët të shkojnë në votime.

Skepticizmi i Vance për Amerikën e korporatave, mbështetjen për tatimet, lodhjen nga përplasjet e huaja dhe bashkë me këto, rinia e tij, e bëjnë atë një zë udhëheqës të një Partie të re Republikane që është më shumë e përqendruar te klasa punëtore sesa te punët e mëdha në sytë e mbështetësve.

"Unë mendoj se ai mund ta artikulojë dhimbjen që familjet amerikane po ndjejnë më mirë se pothuajse kushdo tjetër”, ka thënë senatori Barrasso.

Vance është kritikuar vetëm për kopjimin e Trumpit.

"Vance është një jehonë për Trumpin, jo një zë i ri”, ka thënë Niven.