Botë

Vance: Gjasa të mira për të arritur marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe

JD Vance

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë të martën se “gjasat janë të mira” për arritjen e një marrëveshjeje tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, në kohën kur pjesa më e madhe e tarifave reciproke të presidentit Donald Trump janë pezulluar për një afat 90-ditor, transmeton BBC.

Ai është shprehur optimist se të dyja vendet do të arrijnë marrëveshje frytdhënëse.  

“Ne po punojmë me qeverinë e kryeministrit Keir Starmer. Presidenti vërtetë e do Britaninë e Madhe. Ai e donte mbretëreshën. Është marrëdhënie shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Vance në një intervistë për uebsajtin UnHerd.

Burime të afërta me qeverinë britanike, kanë konfirmuar se bisedimet rreth marrëveshjes tregtare me SHBA-të kanë pasur progres. 

Sipas raportimeve, çdo marrëveshje që arrihet s’do të përqendrohet vetëm në uljen e tarifave, mirëpo edhe në elementet e tjera tregtare siç janë mallrat dhe shërbimet.

Pas shpalljes së tarifave në të ashtuquajturën “Dita e Çlirimit”, tregjet e aksioneve në mbarë botën pësuan rënie, me triliona dollarë të humbura nga tregu amerikan i aksioneve në ditët e para pas njoftimit.

Gjatë intervistës për uebsajtin UnHerd, Vance ka folur për raportet midis administratës Trump dhe Evropës, tek ka thënë se “nuk është mirë që Evropa të jetë vasale e përhershme e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. 

Vance ka insistuar se e “do” Evropën, pavarësisht kritikave që ai pati bërë në drejtim të shteteve evropiane para disa muajve në Konferencën e Sigurisë në Munih si dhe gjatë udhëtimit të tij të fundit në Grenlandë.

Më tutje, Vance ka kritikuar përsëri presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me deklarimet e tij se “administratra Trump është reshtuar me Rusinë”, e të cilat sipas zëvendëspresidentit amerikan janë “absurde” dhe aspak “produktive”.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për një Evropë më të fortë, tek ka shtuar se “nuk dua që evropianët të bëjnë gjithçka që amerikanët iu thonë të bëjnë”.  

“Nuk mendoj se është në interesin e tyre, si dhe nuk mendoj se është në interesin tonë”, ka thënë Vance.