Lufta për pushtet në mes të Ushtrisë së Sudanit dhe forcave paramilitare kanë goditur kryeqytetin e këtij shteti, Kartumin, të shtunën, pas disa ditësh tensionesh.
Arsyeja e konfliktit qëndron te tranzicioni i propozuar në udhëheqësi civile.
Siç shkruan BBC, të dyja palët kanë thënë se po kontrollojnë zonat kyçe dhe aeroportin.
Më herët, forca paramilitare ka thënë se është sulmuar një prej kampeve të saj në jug të Kartumit.
Ushtria, në anën tjetër, e ka akuzuar forcën paramilitare se ka tentuar të bastisë selinë e ushtrisë.
Sudanin e kanë udhëhequr gjeneralët ushtarakë, përmes atij që njihet Këshilli Sovran, prej puçit të tetorit të vitit 2021, shkruan REL.
Forca paramilitare është nën komandën e zëvendës-presidentit të Këshillit, Gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo. Ndërsa ushtria udhëhiqet nga Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i Këshillit Sovran.
Propozimi për tranzicion në Qeveri të udhëhequr nga zyrtarët civilë, ka në qendër integrimin e forcës paramilitare në ushtrinë kombëtare. Kjo forcë ka dashur të shtyjë diçka të tillë për 10 vjet, mirëpo ushtria ka thënë se duhet të ndodhë brenda dy vjetëve.
Fuqitë perëndimore dhe liderët rajonalë kanë bërë thirrje që të dyja palët të ulin tensionet dhe të ulen para tavolinës së negociatave.
Puçi i vitit 2021 i ka dhënë fund një periudhe, më shumë se dyvjeçare, kur ushtria dhe liderët civilë e kanë ndarë pushtetin.
Ajo marrëveshje ishte arritur pas përmbysjes së udhëheqësisë së liderit autoritar të Sudanit, Omar al-Bashir.
Prej përfundimit të puçit, në rrugët e Kartumit ka pasur vazhdimisht protesta pro-demokracisë./REL