Urdhri dramatik për të ndaluar operimin e ndihmës në kampet në Siri erdhi pasi presidenti Trump ngriu të gjithë ndihmën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara, në ditën e parë të mandatit të tij. Ata që mbështesin ngrirjen e programeve të ndihmës amerikane, me vlerë rreth 70 miliardë dollarë në vit, thonë se është shumë tejet e madhe, me Uashingtonin që mban shumë peshë në krahasim me vendet e tjera perëndimore. Dhe ata argumentojnë se qeveria dërgon shumë para jashtë vendit, të cilat do të mund të shpenzoheshin më mirë për amerikanët në vend
Ishte ditë e shtunë, herët, kur qindra punonjësve që operojnë në kampin e zhvendosjes Al-Hol në verilindje të Sirisë iu dha një mesazh i qartë: “Ndaloni punën”.
Ky mesazh ishte sa i papritur aq edhe shqetësues për ata që e dinin se sa punë e përditshme duhet për të stabilizuar vendin, i cili strehon 40 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, të zhvendosur nga zonat e kontrolluara më parë nga grupi i Shtetit Islamik.
Furnizimi me ujë, rrjeti i ujërave të zeza dhe siguria, të gjitha u përmbysën në këtë kamp të madh, tha njëri prej punonjësve humanitar. Edhe një tjetër kamp në verilindje të Sirisë, Al Roj, u përball me këtë urdhër të papritur.
Urdhri, dramatik, për të ndaluar operimin e ndihmës në këto kampe erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ngriu të gjitha ndihmat e ofruara nga Shtetet e Bashkuara, deri tani donatori më i madh në botë, në ditën e parë të mandatit të tij, duke bërë thirrje që të rishqyrtohet nëse ato iu përmbahen politikave të qeverisjes së tij.
Për ditë të tëra, zyrtarët e organizatave humanitare dhe organizatat bamirëse globale kishin pritur që të kuptonin implikimet që do sillte ai urdhër. Javën e kaluar, të premten mbrëma, shkalla e ndikimit të tij u bë e qartë.

Përmes një dokumenti u zbulua se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të ndalonte për 90 ditë të gjithë ndihmën ekzistuese, me përjashtim të ndihmës urgjente ushqimore dhe financimin ushtarak për Izraelin dhe Egjiptin.
Lajmet për këtë vendim u filtruan nëpër radhët e komunitetit ndërkombëtar të ndihmës, teksa njoftimet për të ndalur punën filluan të merrnin dhenë.
Programet që përfshinin projekte nga ato të shtrirjes së rrjetit të kanalizimit deri te iniciativat e vaksinimit, i përfshiu kaosi ndërkohë që kontraktorët përpiqeshin të kuptonin implikimet e urdhrit. BRAC, organizata jofitimprurëse më e madhe në botë, i tha BBC-së se 3.5 milionë njerëz do të ndikohen direkt nga programet që janë pezulluar në katër vende.
“U ndje si një tërmet në gjithë sektorin e ndihmës”
U ndje “si një tërmet në të gjithë sektorin e ndihmës, me programet e shpëtimit të jetëve, që u rrënuan”, tha njëri prej punonjësve të ndihmës ndërkombëtare për BBC-në.
Ata që mbështesin ngrirjen e programeve të ndihmës amerikane, me vlerë rreth 70 miliardë dollarë në vit, thonë se është shumë tejet e madhe, me Uashingtonin që mban shumë peshë në krahasim me vendet e tjera perëndimore. Dhe ata argumentojnë se qeveria dërgon shumë para jashtë vendit të cilat do të mund të shpenzoheshin më mirë për amerikanët në vend.
Administrata e ka bërë të qartë se e kundërshton në mënyrë specifike çdo projekt që mbështet diversitetin dhe përfshirjen, të drejtat transgjinore, planifikimin familjar, qasjen ndaj abortit dhe çështje të tjera, disa prej të cilave janë synuar gjatë nga administratat republikane. Ngrirja, thonë ata, është krijuar për të ofruar një mundësi për të çrrënjosur shpenzimet e kota.
“Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen e tri pyetjeve të thjeshta”, tha sekretari Rubio. “A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën atë më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë”?
Programet që janë ndikuar nga ky urdhër, megjithatë, kanë qenë të mëdha, duke shkaktuar tronditje dhe kritika të shumta në një sistem global të ndërthurur me financimin e SHBA-së. Kontraktorët e organizatave të ndihmës, të frikësuar nga humbja e fondeve të mëtejshme, kryesisht i kanë shprehur këto shqetësime privatisht, megjithëse disa kanë folur hapur.
Të hënën në mbrëmje, stafi që punon në programin amerikan kundër përhapjes globale të HIV-it nuk kishte më qasje në sistemet e tyre kompjuterike, sipas Dr. Atul Gawande, ish-pjesëtar i USAID-it dhe ekspert i projektit.
Presidenti i atëhershëm Bush nisi implementimin e Planit Emergjent për Ndihmë ndaj SIDA-s (Pepfar) në vitin 2003. Pjesë e këtij programi janë më shumë se 250 mijë mjekë, infermierë dhe staf tjetër plotësues në 55 vende të botës, të cilët shpërndajnë ilaçe antivirale dhe jo vetëm. Ky program vlerësohet të ketë shpëtuar miliona jetë dhe të ketë parandaluar përhapjen e HIV-it.
“Programi është mbyllur... Shërbimet janë pezulluar”, tha Dr. Gawande për BBC-në të martën, duke shtuar se klinikat që u shërbenin 20 milionë njerëzve me HIV janë ndikuar nga urdhri.
Paul Jordan, i cili punon në Institutin Evropian të Paqes për riatdhesimin e shtetasve të huaj nga Al-Hol dhe Al-Roj, tha se pjesa më e madhe e financimit nga Uashingtoni ishte ndalur menjëherë.
“Për sa i përket ndikimit të menjëhershëm, nuk kam parë kurrë diçka kaq të rëndësishme sa kjo më parë”, i tha ai një komiteti parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar të martën, duke shtuar se kampet janë vendosur në “harresë” derisa të kryhet rishqyrtimi që presidenti Trump ka kërkuar.
“Ditët e fundit asgjë nuk u dërgua brenda kampeve”, tha ai. “Nuk kishte administratë në kamp, shumë pak siguri, ushqimi nuk u shpërnda”.
Më vonë të martën, derisa organizatat e ndihmës vazhdonin të bënin thirrje për përjashtime nga qeveria e SHBA-së për të vazhduar programet, u shfaqën shenjat e para se Departamenti i Shtetit po përpiqej të kufizonte ndikimin e këtij urdhri.
Përkufizimi “ndihma humanitare për shpëtimin e jetëve”, që përfshinte programet të cilat lejohej të vazhdonin operimin, u zgjerua përtej ofrimit të ndihmës ushqimore urgjente, në “shpërndarjen e ilaçit kryesor për shpëtimin e jetës”, shërbimet mjekësore, ushqimin, strehimin dhe dispozita të tjera.
Përmes zgjerimit të ndihmës së lejuar, programet e Pepfar mund të rifillojnë operimin, por nëse barnat parandaluese, dhe jo vetëm trajtimet për HIV-in mbulohen, mbetet e paqartë.
Dr. Gawande, i cili mbante rol të rëndësishëm në USAID gjatë kohës sa në detyrë ishte ish-presidenti Biden, tha se programet e tjera mbeten të hapura, përfshirë këtu përpjekjet për të parandaluar përhapjen e Mpox-it në Afrikën Perëndimore, monitorimin e gripit të shpendëve në dhjetëra vende dhe iniciativat që synojnë trafikimin e opioidit fentanil.

“Kjo është katastrofike”
“Ishte e papritur dhe reagimi im i papritur ishte, kjo është katastrofike”, tha ai për efektet e ngrirjes së ndihmave.
“Ne po shqyrtojmë me maturi të gjithë urdhrat e dorëzuar. Sekretari i Shtetit ka përgjegjësinë përfundimtare...të mbrojë investimet e Amerikës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, kur u pyet për programet specifike.
Blumont, kontraktori amerikan që koordinon punën e organizatave të ndihmës në Al-Hol dhe Al-Roj, tha se pranoi një vendim nga Departamenti i Shtetit të hënën vonë, që lejonte atë të vazhdojë “aktivitetet kritike” në kampe për dy javë të tjera. Megjithatë, nuk ka siguri përtej asaj periudhe.
I pyetur nga BBC-ja në lidhje me situatën në kampet e Sirisë dhe projekte të tjera, nga Departamenti i Shtetit u tha se “janë ofruar përjashtime kritike për sigurinë kombëtare”, por nuk u specifikua nëse ka ndonjë lidhje me Sirinë.
Në vendimin e ri të Departamentit të Shtetit thuhej gjithashtu: “Kjo nuk zbatohet për aktivitetet që përfshijnë aborte, konferenca të planifikimit familjar, kosto administrative ... programe të ideologjisë gjinore ose DEI (diversiteti, barazia dhe përfshirja), operacione transgjinore ose të tjera që nuk shpëtojnë jetë”.
USAID-i është tronditur nga ngrirja e ofrimit të ndihmës
Në Uashington, selia e USAID-it është tronditur nga ngrirja e ofrimit të ndihmës.
Stafit i ishte bërë thirrje që të mos anashkalonte detyrat e dhëna dhe iu dha urdhër i rreptë që të mos komunikonin në lidhje me ngrirjen e ndihmave jashtë agjencisë. Sipas një dokumenti të brendshëm, çdo shkelje do të “rezultonte me marrjen e masave disiplinore”.
Stafi, i paidentifikuar, që atëherë është akuzuar për përpjekje për të “anashkaluar” urdhrin ekzekutiv të presidentit dhe dhjetëra zyrtarë të lartë janë pezulluar nga puna.
Sallat e agjencisë, ku dikur shfaqeshin imazhe të projekteve në terren, tani janë bosh.
Ndërkohë që kritikat u shtuan, të mërkurën, Departamenti i Shtetit tha se pauza 90-ditore dhe rishikimi i ndihmës së huaj veçse po rezulton me ndikim për SHBA-në dhe popullin e saj.
“Ne po çrrënjosim mbetjet. Dhe ne po ekspozojmë aktivitete që bien në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse këto programe do të mbeteshin me autopilot”, thuhej tutje në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.
Duke shpjeguar se pse ishte i nevojshëm një urdhër që pezullon përkohësisht të gjitha projektet, në vend të një qasjeje më të mirë, në Departamentin e Shtetit u tha se “Është e pamundur të vlerësohen programet me autopilot sepse pjesëmarrësit, brenda dhe jashtë qeverisë, kanë pak ose aspak nxitje për të ndarë detaje të nivelit programor për sa kohë që dollarët vazhdojnë të rrjedhin”.
Mijëra kilometra larg, në qytetin Masindi të Ugandës, Teddy Ruge është ende duke u përballur me këtë vendim. Atij iu tha të “ndalonte punën” të hënën mbrëma, dhe vendimet e marra deri më tani nuk duket se e lejojnë atë të rifillojë projektin e tij bujqësor të financuar nga qeveria amerikane.
Ruge punëson fermerë me parcela të vogla që kultivojnë një bimë të pasur me lëndë ushqyese të quajtur Moringa. Bima shitet në Amerikën e Veriut dhe Evropë, ku përdoret për të forcuar bukën dhe ushqime të tjera.
Fermerët e tij mbështeten në një pagë prej rreth 70 dollarë në muaj. Të ardhurat e tyre shtohen përmes një granti vjetor prej rreth 250 mijë dollarësh nga USAID-i.
Por ai litar shpëtimi u zhduk, saktësisht një javë pas urdhrit ekzekutiv të Trumpit.
“Ne në fakt po përgatiteshim për një takim me të gjithë fermerët për të diskutuar për sezonin e ri dhe çfarë të mbillnim”, tha Ruge për BBC-në. “Por tani, ky takim, është më shumë si një funeral”.
Ai ende nuk e di nëse i lejohet të vazhdojë të punësojë fermerët apo nëse mund të paraqiten në punë.
“Nga ajo që po lexoj, programi ynë rrezikohet të mbyllet përgjithmonë sepse është në kufijtë e qëndrueshmërisë së klimës dhe prodhimit, të cilat nuk janë saktësisht në krye të listës së prioriteteve të Trumpit”, shtoi Ruge.
“Është vërtet dëshpëruese. Kështu që pres disa net pa gjumë përpara”.