Uragani Beryl raportohet se po lëviz drejt Xhamajkës të mërkurën pasi stuhia e fuqishme e kategorisë 4 la të vdekur të paktën gjashtë persona dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në Karaibet juglindore.
Në Kingston, njerëzit kanë filluar tashmë përgatitjet për të mos u dëmtuar rëndë nga stuhia, raporton AP.
Një paralajmërim uragani ishte në fuqi për Xhamajka, Grand Cayman, Little Cayman dhe Cayman Brac, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së.
Xhamajka ishte në gjendje emergjente pasi ishulli u shpall zonë fatkeqësie disa orë përpara goditjes së uraganit Beryl.
Kryeministri Xhamajkan, Andrew Holness ka thënë se shpallja e zonës së fatkeqësisë do të mbetet në fuqi për shtatë ditët e ardhshme. Ai gjithashtu njoftoi për një shtetrrethim në të gjithë ishullin, midis orës 6:00 të mëngjesit dhe 6:00 pasdite, të mërkurën.
Një urdhër evakuimi u lëshua gjithashtu për komunitetet në të gjithë Xhamajkën që janë të prirura ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Holness u kërkoi xhamajkanëve të largoheshin nga zonat e ulëta.
Një vëzhgim uragani ishte në fuqi për bregun jugor të Haitit dhe bregun lindor të Jukatanit.
Të hënën vonë, Beryl u bë stuhia më e hershme që u shndërrua në një stuhi të kategorisë 5 në Atlantik, dhe arriti kulmin me erërat prej 270 km/h të martën, përpara se të dobësohej në një kategori që llogaritet edhe më tutje shkatërruese.
Të mërkurën, stuhia ishte rreth 125 kilometra në juglindje të Kingstonit.
Ajo kishte erëra maksimale të qëndrueshme prej 230 km/h dhe lëvizte në perëndim-veriperëndim me 30 km/h.