Studentët e Universitetit të Kolumbisë që kanë pushtuar ndërtesën tani përballen me përjashtimin, ka deklaruar universiteti në një deklaratë të martën.
“Dje e kemi bërë shumë të qartë se puna e universitetit nuk mund të ndërpritet pafundësisht nga protestuesit që shkelin rregullat. Kush vazhdon ta bëjë këtë do të përballet me pasoja të qarta”, ka thënë zëdhënësi i universitetit, Ben Chang, raporton CNN.
“Protestuesit kanë zgjedhur të përshkallëzohen në një situatë të paqëndrueshme, po ndodh vandalizimi i pronës, thyerja e dyerve dhe dritareve dhe bllokimi i hyrjeve, dhe ne po ndjekim pasojat”, ka shtuar ai.
Në deklaratë thuhet se rivendosja e rendit dhe sigurisë është prioriteti kryesor i administratës, duke theksuar se masat disiplinore nuk janë politike.
"Kjo ka të bëjë me reagimin ndaj veprimeve të protestuesve, jo kauzës së tyre”, është shprehur Chang.
Universiteti ka thënë gjithashtu se demonstratat kanë krijuar përçarje në kampus. Shumë studentë të Kolumbisë po shkojnë në javën e provimeve përfundimtare, e cila shënon fundin e semestrit të pranverës 2024.
Dhjetëra protestues pushtuan ndërtesën e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork të martën herët, duke barrikaduar hyrjet dhe duke shpalosur një flamur palestinez nga një dritare, në përshkallëzimin e fundit të demonstratave kundër luftës Izrael-Hamas, që janë përhapur në kampuset e kolegjeve në mbarë vendin.
Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat universitare si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se ai përdor akuza të tilla për të heshtur kundërshtarët.
Edhe pse disa protestues janë kapur në kamera duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve janë hebrenj, thonë se kjo është një lëvizje paqësore që synon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe protestën kundër luftës.
LEXO EDHE: