Rushdi Abualoufi i BBC-së, i cili ka raportuar nga Gaza për dekada, u largua nga territori me familjen e tij më 20 nëntor për hir të sigurisë së tyre. Tani ndodhet në Stamboll të Turqisë. Ai ka rrëfyer se çfarë ndjeu kur e la shtëpinë e tij dhe si është ta vëzhgosh Gazën nga larg
Unë dhe familja ime jemi rritur në Gaza, kemi lindur në Gaza. Ndihem vërtet i trishtuar që më është dashur të largohem në këtë mënyrë.
Kam kujtime nga çdo cep i shtëpisë sime dhe nga çdo cep i lagjes sime.
Pjesa tjetër e familjes së gruas sime - babai, nëna dhe vëllai i saj - janë ende atje, e edhe babai, vëllezërit dhe motrat e mia janë gjithashtu në Gaza.
Të them të drejtën, e kam më vështirë ta vëzhgoj Gazën nga larg, sepse kur isha atje, brenda enklavës, isha i zënë duke u marrë me shumë gjëra dhe duke mos menduar për situatën në Rrip.
Tani, kur jam larg saj, kam më shumë kohë për të menduar. Dhe është shumë e vështirë për mua ta imagjinoj se nuk do ta shoh më shtëpinë time ose nuk do të fle në shtratin tim dhe nuk do të shoh më fqinjët dhe lagjen time.
Që kur u nisëm për në Stamboll, na thanë se shtëpia jonë ishte shkatërruar. Domethënë e gjithë ndërtesa, e gjithë lagjja u shkatërrua.
Disa nga kolegët e mi arabë të BBC-së janë ende në Gaza. I takova të gjithë një natë para se të largohesha. U thashë se do të bëja gjithçka për t’i larguar edhe ata.
“Bëhuni të fortë dhe punoni së bashku, BBC-ja është shumë krenare për ju, BBC-ja do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’iu mbrojtur dhe për t’iu larguar”, u thashë atyre.
I kam telefonuar çdo mëngjes që kur jam larguar nga Gaza. Unë jam gjithmonë me ta, gjithmonë i këshilloj, i ndihmoj ata të zgjidhin çdo problem me të cilin përballen dhe shpresoj se ata do të largohen së shpejti.
Familja ime e pati mundësinë të largohej që në fillim.
Kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, thirrja ime e parë ishte në BBC për t’iu treguar atyre se çfarë ndodhi. E dyta thirrje ishte për gruan time.
“Të lutem përgatit çantën, duhet të largohesh tani nga Gaza”, i thashë unë asaj. Unë prisja një hakmarrje shumë të madhe nga Izraeli dhe vendkalimi i Rafahut ishte i hapur dy ditët e para pas sulmit të Hamasit.
Në fillim gruaja ime nuk e kuptoi se sa e rëndë dhe sa e rrezikshme do të ishte situata. Më duhej të qëndroja dhe të punoja, dhe për shkak se ajo nuk donte që ne të ndaheshim, nuk pranoi të largohej. “Ne do të rrimë bashkë, do të jetojmë bashkë”, më tha ajo.
Ditën e tretë e humbëm këtë shans - vendkalimi në Rafah u bombardua dhe u mbyll.
Dhe pastaj m’u desh të merresha me kaq shumë gjëra.
Më duhej të merresha me babanë tim të moshuar që jetonte larg nesh. Më duhej të mësohesha që të merrem me familjen dhe me punën time.
Më duhej të raportoja dhe gjatë gjithë kohës në mendjen time ishin babai im, gruaja ime, fëmijët, vendi im – sa herë që hidhnin një bombë, mendoja: a është afër shtëpisë sime?
Pasi u detyruam të largoheshim nga qyteti i Gazës, fillimisht mbërritëm në Khan Younis dhe qëndruam me familjen për disa ditë.
Pastaj na paralajmëruan se shtëpia do të bombardohej. Kështu që na u desh të largoheshim dhe nuk e dinim se ku të shkonim.
Vendosa një tendë pranë vendit tim të punës në spitalin Nasr në Khan Younis. Familja ime qëndroi aty për rreth një javë.
Gjeta një shtëpi afër spitalit që ata të mund të ishin pranë meje, kështu që në rast se ndodhte diçka, të mund të shkoja tek ata.
Banesa ime në qytetin e Gazës ishte 170 m2, por të gjithë ishin të ngujuar në një dhomë të vogël. Ata ishin të shqetësuar për shkak që unë nuk isha me ta gjatë gjithë kohës, dhe gjithashtu nuk kishte ushqim të mjaftueshëm.
Gruaja ime u plagos atë ditë kur u përpoq të vinte të më shihte. Fëmijët po qanin se donin të më takonin dhe vendosën të shkonin nga shtëpia në spital.
Kur arritën, një nga ndërtesat u godit - atë ditë, ata pothuajse vdiqën.
Tani që jemi larg, e di që do të kthehem patjetër.
“Unë gjithmonë them si gazetar se Gaza është vendi i përsosur për të jetuar - sepse do të gjeni histori në çdo cep”
Por sa më përket mua, familja ime ka vuajtur për një kohë shumë të gjatë.
“Nuk do të të lë të kthehesh në asnjë rrethanë”, i thashë gruas sime kur u larguam nga Gaza, kur dolëm nga dera.
Tani fëmijët e mi janë të lumtur që janë larg Gazës, do t’i rikthehen një jete normale, megjithëse ende u mungon gjithçka.
Por unë jam gazetar, dhe sapo të qetësohet situata do të kthehem në Gaza, do ta bëj, sepse jam i lidhur me këtë histori dhe mendoj se ata 2.3 milionë njerëz në Rrip meritojnë ta kenë dikë që të tregojë historinë e tyre.
Përktheu: Forca Jashari