Çdo pasaportë dhe certifikatë e lindjes e lëshuar nga Rusia për ukrainasit e bën më të vështirë për Ukrainën ta rikthejë territorin e humbur dhe fëmijët e rrëmbyer
Vyacheslav Ryabkovi dhe prindërit e tij ishin në mesin e njerëzve të fundit në fshat të cilët ende nuk e kishin marrë pasaportën ruse, por presioni po bëhej i padurueshëm.
Pasi u rrah tri herë nga ushtarët rusë që kishin pushtuar Khersonin e Ukrainës, ai u detyrua të dorëzohej. Ushtarët ia kishin thyer dy brinjë, por nuk ia kishin mavijosur fytyrën për fotografinë e pasaportës së tij, të bërë në shtator të vitit 2023.
Por, kjo nuk mjaftoi.
Në dhjetor njëri prej ushtarëve ia kishte thyer hundën Ryabkovit, gjatë kohës sa ai po kthehej në shtëpi nga puna.
“Pse nuk lufton për ne? Ti tashmë ke pasaportë ruse”, i kishin thënë. Rrahjet kishin vazhduar derisa 42-vjeçarit i kishte rënë të fikët.
“Le ta përfundojmë punën”, kishte thënë njëri ushtar, por njëri nga shokët e Ryabkovit kishte vrapuar për të gjetur nënën e tij.
Kur nëna e tij kishte arritur në vendngjarje, ai mezi njihej nën gjakun e derdhur derisa armët e rusëve ishin të kthyera nga ai. Ajo kishte hedhur veten mbi trupin e tij.
“Gjuajeni atë përmes meje”, u kishte thënë ajo me guxim.
Ata nuk kishin mundur të gjuajnë një grua të moshuar dhe ajo e kishte tërhequr të birin deri në shtëpi. Ata kishin filluar përgatitjet për t’u larguar ditën tjetër.
Iu kishte marrë pak kohë, por kishin arritur të largohen duke përdorur pasaportat e tyre ruse.
“Kur e pashë flamurin tonë të verdhë dhe të kaltër fillova të qaja”, ka thënë ai. “Doja ta digjja pasaportën ruse, ta shkatërroja, ta shkelja”.
Rusia ka imponuar me sukses pasaportat e veta në gati të gjithë popullsinë e pjesës së pushtuar të Ukrainës, duke e bërë të pamundur jetesën pa to, duke shtyrë mijëra njerëz të pranojnë shtetësinë para zgjedhjeve, të cilat presidenti Vladimir Putin i kishte të sigurta se do t’i fitonte. Por pranimi i pasaportës do të thotë se burrat që jetojnë në territorin e pushtuar mund të rekrutohen për të luftuar kundër ushtrisë ukrainase që është duke u përpjekur ta çlirojë vendin.
Pasaporta ruse është e nevojshme për të dëshmuar pronësinë, për të ruajtur qasjen në sistemin shëndetësor dhe të marrë pension. Refuzimi mund të rezultojë në humbjen e kujdesit të fëmijëve, burgim – ose edhe më keq. Ligji i ri rus ka përcaktuar se ata që nuk kanë pasaportë ruse në zonat e pushtuara deri më 1 korrik, do t’i nënshtrohen dënimit me burgim si “qytetarë të huaj”.
Por Rusia gjithashtu ka ofruar edhe “stimulime” për t’u larguar nga territori i pushtuar dhe për të shkuar në Rusi, si ndihma humanitare, pensione për pensionistët dhe para për prindërit e të porsalindurve – me certifikata ruse të lindjes.
Çdo pasaportë dhe certifikatë e lindjes e lëshuar nga Rusia ia bën më të vështirë Ukrainës t’i rikthejë fëmijët e marrë dhe territorin e humbur. Secili qytetar i ri ia mundëson Rusisë që të marrë të drejtën – edhe pse të rreme – për të mbrojtur “njerëzit e saj kundër një fqinji armiqësor”.
Qeveria ruse ka marrë nën kontroll të paktën 1785 shtëpi dhe biznese vetëm në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhia. Udhëheqësit në ekzil të Krimesë së Ukrainës kanë raportuar më 26 shkurt se nga 694 ushtarë të raportuar të vrarë në përleshjet e fundit me Rusinë, 525 besohet se ishin qytetarë ukrainas që kishin marrë pasaporta ruse që nga nisja e pushtimit.
Avokati i popullit i Ukrainës për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, ka thënë se “gati 100%... e të gjithë popullatës që jeton akoma në territoret e pushtuara të Ukrainës” tani kanë pasaporta ruse.
m
Kombinimi i forcës me joshje, kur vjen puna te pasaportat ruse, daton nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Shtetësia ruse u është dhënë automatikisht banorëve të përhershëm të Krimesë dhe kushdo që ka refuzuar ka humbur të drejtën për të punuar, për kujdes shëndetësor dhe pronësi.
Në nëntë muajt e pushtimin rus në gadishull, 1.5 milionë pasaporta ruse janë lëshuar, sipas statistikave të lëshuara nga Qeveria ruse në vitin 2015.
Në fillim të majit të vitit 2022, Rusia ka miratuar një sërë ligjesh për ta bërë më të lehtë marrjen e pasaportave për ukrainasit, kryesisht duke hequr kërkesat e zakonshme të qëndrimit dhe të ardhurave. Në prill të vitit 2023 ka ardhur vendimi: kushdo që nuk e pranon shtetësinë ruse në territoret e pushtuara, do të konsiderohej pa shtetësi dhe do t’i nevojitej të merrej me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.
Zyrtarët rusë kanë kërcënuar se do të ndalojnë qasjen në kujdesin shëndetësor për banorët pa pasaporta ruse dhe kanë thënë se u nevojitej ajo për ta provuar pronësinë e pronave. Qindra prona të konsideruara “të braktisura” janë sekuestruar nga qeveria ruse.
“Mund ta shohësh në vulat e pasaportave: nëse dikush ka marrë pasaportën në gusht të vitit 2022 ose më herët, me siguri janë prorusë. Nëse pasaporta është lëshuar pas asaj kohe – me siguri ka qenë i detyruar”, ka thënë Oleksandr Rozumi, avokat i cili është larguar nga qyteti i pushtuar i Berdyanskut.
Në një intervistë të postuar kohëve të fundit, Yevgeny Balitsky, kryetar i vendosur nga Moska në Zaporizhzhia, ka thënë se kushdo që kundërshtonte pushtimin do të ishte subjekt i dëbimit.
“Ne e kemi kuptuar se këta njerëz nuk mund të josheshin dhe se me ta duhet të merreshim në mënyrë më të ashpër në të ardhmen”, ka thënë ai. Balitsky pastaj ka aluduar në marrjen “e disa vendimeve jashtëzakonisht të ashpra për të cilat nuk dëshiron të flasë”.
Edhe fëmijët janë detyruar të marrin pasaporta ruse.
Një dekret i nënshkruar më 4 janar nga Putini i lejon jetimët ukrainas dhe ata “pa kujdes prindëror” të marrin shtetësi shpejt, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, prindërit e të cilëve janë dëbuar nga territoret e pushtuara. Gati 20,000 fëmijë ukrainas janë zhdukur në Rusi ose në territoret e pushtuara nga Rusia, sipas Qeverisë ukrainase, pra në vendet ku ata mund të marrin pasaportë dhe të adoptohen nga rusët.
“Kjo është duke u bërë për të zhdukur identitetin”, ka thënë Kateryna Rashevska, avokate që ndihmoi Ukrainën të ngrejë rast kundër Rusisë për krime lufte në Gjykatë Ndërkombëtare Penale.
Natalia Zhyvohliadi, nënë e nëntë fëmijëve nga rrethina e Berdyanskut, e ka ditur se çfarë do t’iu ndodhte fëmijëve të saj nëse do të kishte qëndruar.
Zhyvohliadi ka thënë se gati gjysma e qytetit të saj prej 3500 njerëzve është larguar menjëherë për në territorin e udhëhequr nga Ukraina, disa vullnetarisht dhe disa të dëbuar përgjatë vijave të frontit, në një rrugë prej 40 kilometrash. Të tjerët e kanë mirëpritur pushtimin: Kumbara e saj me qejf ka marrë shtetësinë ruse, siç kanë bërë edhe disa nga fqinjët e saj.
Por ajo ka thënë se shumë nga njerëzit ishin si ajo – të cilët rusët me tallje i quajnë “pritës”: Njerëz që presin për lirimin e Ukrainës. Ajo i ka mbajtur fëmijët e saj, të moshave nga 7 deri në 18 vjeç, në shtëpi prej shkollës dhe ka bërë të pamundurën t’u jepte mësim në gjuhën ukrainase. Por pastaj dikush ka treguar dhe ajo është detyruar që t’i dërgonte në shkollën ruse.
Në çdo orë, ka thënë ajo, ushtarët kanë trokitur në derë dhe e kanë pyetur se pse ajo nuk kishte akoma pasaportë ruse. Një shoqe e saj u është dorëzuar rusëve sepse kishte nevojë për ilaçe për sëmundjen kronike që kishte. Zhyvohliadi ka rezistuar gjatë tërë verës, duke mos u besuar kërcënimeve të dëbimit dhe dërgimit të fëmijëve të saj në një jetimore ruse ose kërcënimeve si ato që fëmijët do t’i dërgojnë për të gërmuar në llogore.
Pastaj vjeshtën e kaluar, drejtori i shkollës i kishte detyruar djemtë e saj 17 dhe 18-vjeçar për t’u regjistruar në ushtri dhe i kishte urdhëruar që në ndërkohë të aplikonin për pasaportë ruse.
Deri në fund të vitit 2023, të paktën 30,000 burra nga Krimea ishin rekrutuar për të shërbyer në ushtrinë ruse që nga aneksimi i gadishullit, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ishte e qartë për Zhyvohliadin se në çfarë rreziku ishin djemtë e saj.
Me lot në sy dhe këmbët që i dridheshin, ajo kishte shkuar në zyrën e pasaportave.
“Unë kam mbajtur një flamur të Ukrainës gjatë pushtimit”, ka thënë ajo. “Si do të mund të aplikoja për këtë gjë të ndyrë?”.
Ajo ka shpresuar ta përdorte vetëm një herë flamurin – në pikën e fundit të kontrollit rus para se të kalonte në territorin ukrainas.
Kur Zhyvohliadi kishte arritur atë që është e njohur si “pika e filtrimit” në Novoazovsk, rusët e kishin ndarë atë nga dy djemtë e saj dhe fëmijët e tjerë. Atyre u është dashur të nënshkruanin një marrëveshje për ta kaluar testin për detektim të gënjeshtrave. Pastaj Zhyvohliadi është marrë mënjanë e vetme.
Për 40 minuta ata kanë kontrolluar telefonin e saj, kanë marrë gjurmë të gishtave, foto dhe e kanë marrë në pyetje, por në fund e kanë lënë të lirë. Fëmijët e saj ishin duke e pritur në anën tjetër të kufirit. Asaj i mungon shtëpia e saj, por nuk i bie pishman që është larguar.
“Unë kam pritur deri në momentin e fundit për lirimin e Ukrainës”, ka thënë ajo. “Por rekrutimi i fëmijëve të mi ka qenë e papranueshme për mua”.
Përdorimi i kujdesit shëndetësor si armë
Organizata ndërkombëtare “Mjekët për të Drejtat e Njeriut” ka dokumentuar të paktën 15 raste të njerëzve, të cilëve u është mohuar kujdesi shëndetësor në territoret e pushtuara mes shkurtit të vitit 2023 dhe gushtit të vitit 2023, sepse nuk kishin pasaportë ruse. Disa spitale madje kanë pasur edhe tavolinë për nxjerrjen e pasaportave, për të përshpejtuar procesin për pacientët në nevojë. Një spital në Zaporizhzhia ishte urdhëruar për t’u mbyllur, sepse stafi mjekësor kishte refuzuar ta pranonte shtetësinë ruse.
Alexander Dudka, kreu i fshatit Lazurne në rajonin Kherson i vendosur aty nga Rusia, së pari ka kërcënuar se do të ndalonte ndihmat humanitare për banorët pa shtetësi ruse. Në gusht ai ka shtuar ilaçet në listën e gjërave ku “pritësit” nuk mund të kishin qasje më.
Banorët, ka thënë ai në një video në kanalin e Telegramit të fshatit, “duhet të respektojnë vendin që ruan sigurinë e tyre dhe që i ndihmon ata të rrinë gjallë”.
Që nga 1 janari, kushdo që ka nevojë për kujdes shëndetësor në rajonin e pushtuar duhet të tregojë prova që ata kanë sigurim të detyruar shëndetësor kombëtar, që është në dispozicion vetëm për qytetarët rusë.
Vitin e kaluar, “nëse nuk kishe frikë ose nëse nuk detyroheshe, ke pasur vende ku mund të merrje kujdes shëndetësor prapëseprapë”, ka thënë Uliana Poltavetsi, reportere e “PHR”. “Tash është e pamundur”.
Dina Urichi, e cila ndihmon largimet nga territori i pushtuar me grupin e ndihmave “Helping to Leave”, ka thënë se gati 400 kërkesa vijnë çdo muaj, por ata kanë para dhe staf vetëm për 40 evakuime. Prioritet kanë personat që kanë nevojë për kujdes urgjent shëndetësor, ka thënë ajo. Dhe ushtarët rusë në pikën e fundit të kontrollit kanë filluar t’i kthejnë pas njerëzit pa pasaporta ruse.
“Kemi njerëz që vdesin vazhdimisht për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor teksa presin evakuimin”, ka thënë ajo. “Njerëzit do të rrinë këtu, njerëzit do të vdesin, njerëzit do të përjetojnë presion psikologjik dhe fizik, disa nga ta do të vdesin nga tortura dhe persekutimi, teksa të tjerët do të jetojnë me frikë të vazhdueshme”.
Importimi i besnikërisë
Së bashku me kthimin e ukrainasve në rusë përgjatë territoreve të pushtuara, Qeveria ruse është duke sjellë edhe njerëzit e saj.
Ajo është duke ofruar norma të larta hipotekare për këdo nga Rusia që dëshiron të lëvizë atje, duke zëvendësuar mjekët, infermierët, mësuesit, policinë dhe punonjësit e bashkisë ukrainase që tashmë janë larguar.
Gjysma e fshatit të Zhyvohliadit është larguar, ose në fillim të luftës kur gjërat dukeshin keq për rajonin Kherson, ose pasi janë dëbuar përtej vijave të frontit nga zyrtarët në pushtet.
Artileria dhe sulmet ajrore kanë dëmtuar qindra shtëpi në qytetin Mariupol, i cili ishte rrethuar nga forcat ruse për disa muaj para se të binte nën kontrollin e tyre. Shumica e banorëve kanë ikur për në territorin e Ukrainës ose thellë brenda Rusisë.
Rusia gjithashtu ka ofruar “certifikata të banimit” dhe pagë prej 100.000 rublash për ukrainasit e gatshëm për ta pranuar shtetësinë dhe për të jetuar në Rusi. Për shumë njerëz të lodhur duke dëgjuar zhurmat ditore të luftës dhe të frikësuar për të ardhmen, kjo u është dikur zgjedhje e mirë.
Kjo përsëri pason lëvizjet e Rusisë pas aneksimit të Krimesë: Duke populluar rajonet e pushtuara me banorë rusë, Rusia rrit fuqinë e saj mbi territorin e pushtuar me forcë, të cilën shumë ukrainas e quajnë pastrim etnik.
Procesi vetëm sa është duke u përshpejtuar. Pas pushtimit të Avdiivkës muajin e kaluar, Rusia ka nisur lëshimin e pasaportave brenda pak ditëve.
Qyteti fqinj, Oleshky në fillim është boshatisur pas përmbytjes që u shkaktua nga eksplodimi i digës së Kakhovkës. Pagesa për strehim në Rusi u është dukur përrallore në krahasim me bombardimet dhe rritjen e nivelit të ujit, ka thënë Rima Yaremenko.
Ajo nuk e ka pranuar këtë, dhe më pas është larguar nëpër Rusi për në Letoni e pastaj në Poloni. Por ajo beson se rusët kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të larguar “pritësit” nga Oleshky.
“Ndoshta ata dëshiruan ta boshatisnin qytetin”, ka thënë ajo. “Ata e pushtuan atë, ndoshta ata menduan se ai do të jetë i tyri përgjithmonë”.
Ryabkovi ka thënë se atij i ishte ofruar pagesa për strehimi kur i kishte plotësuar dokumentet për pasaportë, por ai e kishte refuzuar. Ai njeh shumë njerëz të cilët sidoqoftë e kanë pranuar.
Përgatiti: Latra Gashi