Me pushtimin rus në muajin e nëntë, shumë ukrainas nuk pyesin më nëse vendi i tyre do të goditet nga armët bërthamore. Ata po përgatiten në mënyrë aktive si mundësi dikur të paimagjinueshme. Gjatë darkës dhe në bare, njerëzit shpesh diskutojnë se cili qytet do të ishte objektivi më i mundshëm ose çfarë lloj arme mund të përdoret. Shumëkush, si Bondarenko, po grumbullon furnizime dhe po bën plane mbijetese
Dmytro Bondarenko është gati për më të keqen. Ka mbushur hapësirën e magazinimit nën shtratin e palosur dhe pothuajse çdo cep tjetër të banesës në Kievin lindor me ujë dhe ushqime që nuk prishen. Ka rrotulla me shirit paketimi për të izoluar dritaret nga rrezet radioaktive. Bondarenko ka një sobë kampingu me gaz dhe telekomandë.
Ka edhe një pushkë AR-15 dhe një armë gjahu për mbrojtje, së bashku me kuti municionesh. Bombolat e karburantit dhe gomat rezervë ruhen pranë lavatriçes në rast se duhet të largohet nga qyteti me nxitim.
"Çdo përgatitje mund të rrisë shansin tim për të mbijetuar”, tha ai, duke mbajtur një thikë dhe një çantë të ndihmës së parë.
Me pushtimin rus në muajin e nëntë, shumë ukrainas nuk pyesin më nëse vendi i tyre do të goditet nga armët bërthamore. Ata po përgatiten në mënyrë aktive si mundësi, dikur të paimagjinueshme.
Gjatë darkës dhe në bare, njerëzit shpesh diskutojnë se cili qytet do të ishte objektivi më i mundshëm ose çfarë lloj arme mund të përdoret. Shumëkush, si Bondarenko, po grumbullon furnizime dhe po bëjnë plane mbijetese.
Askush nuk dëshiron të besojë se mund të ndodhë, por duket se është në mendjen e shumë njerëzve në Ukrainë, e cila pa aksidentin më të keq bërthamor në botë në Çernobil më 1986.
“Sigurisht që Ukraina e merr seriozisht këtë kërcënim, sepse ne e kuptojmë se me çfarë lloj vendi kemi të bëjmë”, tha këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak, në një intervistë për Associated Press, duke iu referuar Rusisë.
Kremlini ka ngritur pretendime të pabazuara se Ukraina po përgatit një "bombë të pistë" në zonat e pushtuara nga Rusia - një eksploziv për të shpërndarë materiale radioaktive dhe për të mbjellë frikë. Kyiv e mohoi ashpër dhe tha se deklarata të tilla janë më shumë një shenjë se Moska po përgatit vetë një bombë të tillë dhe po e fajëson Ukrainën.
Kujtimet e Çernobilit
Frika bërthamore shkakton kujtime të dhimbshme nga ata që jetuan gjatë fatkeqësisë së Çernobilit, kur një nga katër reaktorët shpërtheu dhe u dogj rreth 100 kilometra në veri të Kievit, duke lëshuar shtëllunga rrezatimi. Autoritetet sovjetike fillimisht e mbajtën të fshehtë aksidentin dhe ndërsa qyteti pranë uzinës u evakuua, jo edhe Kievi.
Svitlana Bozhko ishte gazetare 26-vjeçare në Kiev dhe ishte shtatzënë në muajin e shtatë në kohën e aksidentit, dhe besonte në deklaratat zyrtare. Por bashkëshorti i saj, i cili kishte folur me një fizikan, e bindi të ikte me të në rajonin juglindor Poltava dhe ajo e kuptoi kërcënimin kur pa monitoruesit e rrezatimit dhe zyrtarët duke shpëlarë gomat e makinave që largoheshin nga Kievi.
Frika e shqetësoi Bozhkon gjatë gjithë shtatzënisë, dhe kur lindi vajza, pyetja e saj e parë ishte: "Sa gishta ka fëmija im?" Ajo vajzë, e cila ishte e shëndetshme, tani ka një fëmijë të sajin 1-vjeçar dhe u largua nga Kievi një muaj pasi Rusia e pushtoi.
Ende jetonte në Kiev. Në moshën 62-vjeçare, Bozhko kishte shpresuar se nuk do t'i duhej të kalonte më kurrë diçka të ngjashme. Por e gjithë frika u kthye kur presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi forcat e tij më 24 shkurt.
“Ishte një deja vu”, tha ajo për AP-në. "Edhe një herë, ndjenjat e tragjedisë dhe të pafuqisë më pushtuan”.
Kryeqyteti përsëri po përgatitet për çlirimin e radioaktivitetit, me më shumë se 1000 pjesëtarë personeli të trajnuar për t'u përgjigjur, tha Roman Tkachuk, kreu i Departamentit të Sigurisë Komunale të kryeqytetit. Departamenti ka blerë një numër të madh të pilulave të jodur-kaliumit dhe pajisjeve mbrojtëse për shpërndarje.

Muhabetet për sulmin atomik
Me gjithë bisedat e nivelit të lartë nga Moska, Uashingtoni dhe Kievi për kërcënimet atomike, bisedat e ukrainasve këto ditë janë të mbushura me fraza si "armë bërthamore strategjike dhe taktike", "pilula jodur kaliumi", "maska rrezatimi", "mushama plastike" dhe "ushqim i mbyllur hermetikisht".
Bondarenko tha se filloi të bënte plane të mbijetesës bërthamore kur termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia - më i madhi në Evropë - u godit nga sulmet ruse.
Disenjatori 33-vjeçar i aplikacioneve thotë se ai ka furnizime të mjaftueshme për të mbijetuar për disa javë dhe më shumë se karburant të mjaftueshëm për të lënë vendin ose për të shkuar thellë në male nëse pllakos fatkeqësia bërthamore.
Ai u shpërngul nga rajoni i Donnjeckut disa vjet më parë pasi u kërcënua nga separatistët pro-Moskë. Shpresonte për një jetë të qetë në Kiev, por pandemia COVID-19 e detyroi të bënte jetë më të izoluar në banesë dhe lufta përshpejtoi planet e mbijetesës.
Furnizimet përfshijnë 200 litra ujë, pilula jodur kaliumi për të mbrojtur tiroiden nga rrezatimi, maska me respirator dhe çizme të disponueshme për t'u mbrojtur nga toka e kontaminuar.
Bondarenko tha se nuk mund të jetë i sigurt se do të ishte i sigurt nga një sulm bërthamor rus, por beson se është më mirë të përgatitemi, sepse "ata janë të çmendur".
“Rritje vizitash”
Faqet e internetit ofrojnë këshilla për t'i mbijetuar një bombe të pistë, ndërsa TikTok-u ka postime të shumta të njerëzve që paketojnë "bagazhe bërthamore" për largim të shpejtë dhe duke ofruar këshilla se çfarë të bëni në rast sulmi bërthamor.
Sipas krijuesit të saj, Alex Wellerstein, tetori ka parë "rritje të mëdha" të vizitave ukrainase në NUKEMAP, një faqe interneti që lejon përdoruesit të simulojnë një bombë atomike të hedhur në një vend të caktuar.
Ankthi ka nxitur humor të zi. Më shumë se 8000 njerëz iu bashkuan një bisede në shërbimin e mesazheve telegram pas një shakaje të postuar në Twitter se në rast të një sulmi bërthamor, të mbijetuarit duhet të shkojnë në Kodrën Schekavytsia të Kievit për një orgji.
Nga ana serioze, ekspertët e shëndetit mendor thonë se të kesh një rrjet mbështetës është çelësi për të qëndruar elastik gjatë periudhave të pasigurta.
“Ky është shpesh rasti në Ukrainë dhe gjithashtu ju duhet të keni ndjenjën se mund ta përballoni këtë. Dhe ka një ndjenjë të këtij grupi (domethënë) mjaft të fortë”, tha dr. Koen Sevenants, udhëheqës për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale për mbrojtjen globale të fëmijëve në UNICEF.
Megjithatë, tha se periudhat e gjata nën kërcënim mund të çojnë në ndjenjë pafuqie, dëshpërimi dhe depresioni. Ndërsa një nivel normalizimi mund të vendoset, ai mund të ndryshojë kur kërcënimet rriten.
Ata që jetojnë pranë vijës së parë të luftës, si banorët e Mykolaivit, shpesh janë tepër të rraskapitur për të menduar për kërcënime të reja, pasi kanë duruar pothuajse granatime të vazhdueshme. Qyteti 500 kilometra në jug të Kievit është më i afërti me Khersonin, ku betejat janë ndezur.
“Pavarësisht nëse e besoj apo jo, ne duhet të përgatitemi” për kërcënimin bërthamor, tha për AP-në kreu i administratës rajonale, Vitalii Kim. Ai tha se zyrtarët rajonalë po punojnë në skenarë të ndryshëm dhe po hartojnë rrugë evakuimi.
"Tani besoj se gjithçka mund të ndodhë"
Më shumë se gjysma e popullsisë së paraluftës prej 500.000 banorësh është larguar nga Mykolaivi. Shumë që qëndruan, si 73-vjeçarja Valentyna, thonë se janë shumë të lodhur për t'u larguar tani.
Ajo fle në një bodrum pa dritare me rreth 10 fqinjë të tjerë në kushte kaq poshtëruese sa kërkoi të mos identifikohej plotësisht. Për kërcënimin e një sulmi bërthamor, ajo thotë: "Tani besoj se gjithçka mund të ndodhë".
Një grua tjetër në strehë, e cila donte të identifikohej vetëm si Tamara për të njëjtat arsye, tha se ndërsa përpiqej të flinte natën në një shtrat të bërë nga trarët, mendja i shkon tek fati që e pret.
“Gjatë Luftës së Parë Botërore ata luftuan kryesisht me kuaj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me tanke”, tha ajo. "Askush nuk e përjashton mundësinë që këtë herë të jetë një armë bërthamore”.
"Njerëzit përparojnë, dhe bashkë me të, armët që përdorin për të luftuar", shtoi Tamara. "Por njeriu nuk ndryshon dhe historia përsëritet”.
Në Kiev, Bozhko ndien të njëjtën lodhje. Ajo ka mësuar se çfarë të bëjë në rast se godet një raketë, mban një furnizim me mjete për lloje të ndryshme sulmesh kimike dhe ka atë që ajo e quan "bagazhin e saj të ankthit" - gjërat thelbësore të paketuara në rast evakuimi të papritur.
“Jam lodhur shumë duke qenë e frikësuar; unë thjesht vazhdoj të jetoj jetën time”, thotë ajo, “por nëse ndodh diçka, ne do të përpiqemi të luftojmë dhe të mbijetojmë”.
Dhe ajo tha se e kupton ndryshimin midis 1986 dhe 2022.
“Atëherë ne kishim frikë nga fuqia e atomeve. Kësaj radhe ne përballemi me një situatë kur një person dëshiron të të shfarosë me çdo mjet, dhe e dyta është shumë më e tmerrshme”, ka theksuar Bozhko.