Botë

Ukraina zvogëlon moshën e rekrutimit ushtarak në 25 vjet

Ukraina - ushtria

Foto: Associated Press

Ukraina ka ulur të mërkurën moshën e rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 vjet në një përpjekje për t’i rimbushur radhët e saja të varfëruara pas më shumë se dy vjet lufte pas pushtimit rus të shkallës së plotë, raporton agjencia “AP”. 

Ligji i ri i mobilizimit hyri në fuqi një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy e nënshkroi atë. Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, e miratoi atë vitin e kaluar.

Nuk ishte menjëherë e qartë pse Zelenskyyt iu desh kaq shumë kohë për ta nënshkruar ligjin. Ai bëri një koment të shkurtër publik lidhur me këtë gjatë një konference për media në Kiev të mërkurën me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. 

Një auditim i kërkuar nga komandanti i emëruar së fundi i forcave ukrainase, Oleksandr Syrskyi, ka zbuluar se përllogaritjet e mëhershme se Ukrainës i duhen 500 mijë rekrutë të rinj ishin të gabuara, ka thënë Zelensky. Ai tha kjo është për faktin se trupat që shërbejnë në zona më periferike mund të dërgohen në vijë të frontit. 

Zelensky i ka thënë gazetarëve se nuk është i gatshëm të thotë se sa rekrutë do t’u duhen Ushtrisë ukrainase. 

Ushtria ruse të mërkurën  ka njoftuar se ka përjetuar një rritje të kohëve të fundit në regjistrim, duke ia atribuuar rritjen zemërimit të publikut mbi sulmin terrorist të muajit të kaluar në një sallë koncertesh në Moskë, që la të vdekur më shumë se 140 njerëz.

Rreth 16 mijë  njerëz janë regjistruar në 10 ditët e fundit, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Një degë e grupit të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin. Kremlini ka këmbëngulur, pa dhënë prova, se Ukraina dhe Perëndimi kanë luajtur një rol në vrasjet, pavarësisht mohimeve të tyre të forta.
Ulja e moshës së rekrutimit nuk do të plotësojë nevojat e Ushtrisë së Ukrainës për rekrutët e rinj që i duhen, ka thënë Oksana Zabolotna, analiste e “Qendrës për Veprime të Përbashkët”.